Opozita kërkon dorëheqjen e Beqajt. Debate në Kuvend për Kokëdhimën dhe “eliminimin e kryebashkiakëve”

26/02/2015 00:00

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e testimit të infermierëve, opozita kërkoi në Kuvend dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Është i vetmi ministër i dënuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese për përfitime të paligjshme me buxhetin e shtetit, përfitime të cilat po vazhdon në mënyrë marramendëse t’i fusë në xhepat e tij dhe klientëve të tij”, tha deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

“Ne kemi në shëndetësi, aktualisht me burimet njerëzore, një situatë që unë do ta quaja emergjencë kombëtarë. 36 për qind e mjekëve, 28 për qind e farmacistëve dhe 52 për qind e mjekëve stomatologë nuk kanë arritur t’i marrin në 5 vjet, kreditet e caktuara që kur filloi ky proces. Dhe normalisht nuk mund ta ushtrojnë më profesionin e tyre, nëse brenda 6 muajsh nuk do t’i nënshtrohen një procesi riçertifikimi”, tha Beqaj.

Debate për mandatin e Kokëdhimës. Opozita akuzon edhe për “fushatën e eliminimit të kryebashkiakëve”

Akuzat e opozitës, kryesisht përmes ish-kryeministrit Berisha, kanë qenë të shumta në drejtim të Qeverisë, por vëmendje mori kërkesa e demokratëve për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokëdhima.

“Më duhet t’i them byrazerit të Agron Canes, pedofilit të famshëm që shiste vende pune me seks ndaj fëmijëve; bashkëpunëtorit dhe vëllait shpirtëror të sivëllait të Edi Ramës, Koço Kokëdhima”, u shpreh Berisha.

“Unë nuk bie në moçalin tënd dhe nuk bëj atë që ke bërë ti, të përgojosh fisin dhe njerëzit e mi, për punët, ndërtimet dhe jetët e tyre, të bëra nën qeverisjen tënde”, reagoi deputeti socialist Koço Kokëdhima.

“Këshilla ime e fundit është: këshillohu me Beqjen. Kaq kam me ty unë, sepse ti nuk je bërë deputet, por je njeri që ke përvetësuar fonde publike në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit”, tha sërish Berisha.

“Unë nuk dal nga politika, sepse thua ti. Ti do ikësh shpejt dhe pa kthim nga ky Parlament dhe nga politika. Ndërsa unë do të jem këtu për shumë kohë”, replikoi Berisha.

Opozita ngriti në foltoren e Kuvendit edhe një tjetër çështje të ditës, atë që e quajti eliminimin e kryebashkiakëve përpara zgjedhjeve.

“Nuk kam thënë ndonjëherë se ata janë prioritet, por fakti që sot, brenda kësaj periudhe, fiks përpara se të ndani tortën me Ilir Metën për pushtetin lokal, i çoni INUK-un apo instrumente të tjera fiks si sigurimi i shtetit i 25 viteve më parë, për t’iua ulur kokën, për t’i poshtëruar, për t’i shkelë me këmbë, për t’i detyruar të japin dorëheqjen dhe pastaj të thonë ‘Rroftë udhëheqësi i madh’”, deklaroi deputetja demokrate, Jozefina Topalli.

Megjithëse të gjitha akuzat e opozitës u adresuan ndaj kryeministrit, ky i fundit nuk replikoi, përveç se ndonjë batute nga vendi.

Top Channel