Identifikohet “xhihadisti John”, bëhet fjalë për londinezin Mohammed Emwazi

26/02/2015 00:00

Militanti i maskuar i Shtetit Islamik, i mbiquajtur në media “xhihadisti John”, është identifikuar si Mohammed Emwazi, shtetas britanik, por i lindur në Kuvajt.

I riu te të 20-tat ka jetuar në pjesën perëndimore të kryeqytetit britanik dhe ishte një emër i njohur për shërbimet vendase të sigurisë. Për arsye operative, identiteti i xhelatit të shfaqur në disa video të Shtetit Islamik nuk është bërë i ditur më parë.

Emwazi u shfaq fillimisht në një video në muajin gusht, kur shihet duke i prerë kokën fotoreporterit amerikan James Foley. Më vonë, është po xhihadisti i egër me theksin e fortë britanik, ai që ekzekuton në të njëjtën mënyrë gazetarin tjetër amerikan, Steven Sotloff, punonjësin britanik të ndihmës, David Haines, shoferin britanik Alan Henning dhe punonjësin social amerikan, Peter Kassig.

Në të gjithë filmimet, ai shfaqet i veshur me të zezë dhe me fytyrën të mbuluar, ku nuk i shihen veçse sytë. Nuk dihet ende nëse identitetin e militantit londinez e kanë zbuluar shërbimet amerikane të sigurisë apo ato britanike. Por, e sigurt është që MI5-sa e kishte listuar që në 2011-tën “si person me interes”.

ISIS-i ndërkohë raportohet të ketë rrëmbyer gati 100 të krishterë të tjerë, duke e çuar në 262 numrin e pengjeve në duart e tij. Mes tyre ka gra, fëmijë e të moshuar. Ekziston frika se të gjithë këta njerëz mund të pësojnë fatin e të krishterëve të shënjestruar në Irak apo 20 pjesëtarëve të komunitetit kopt në Egjipt, të cilët u ekzekutuan muajin që shkoi në një plazh të Libisë.

Top Channel