Borxhi publik rritet më shumë se GDP

26/02/2015 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se pas vitit 2007, borxhi publik i
Shqipërisë është rritur mesatarisht me 2.6 për qind në vit ndaj
Prodhimit Kombëtar.

Nga 53.7 për qind që ishte në 2007-ën, në fund të vitit të kaluar borxhi arriti në 72 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që nuk ra asnjëherë në recesion. Por siç tregojnë shifrat, mbajtja e ekonomisë në territor pozitiv ka ardhur me një faturë të rëndë, pasi borxhi është zgjeruar më shpejtë edhe se sa vetë ekonomia.

Sipas Ministrisë së Financave, nëse nga 2007 deri në vitin e kaluar Prodhimi Kombëtar në vlerë është rritur me rreth 4.4 miliardë dollarë në total, për të njëtën periudhë borxhi i Qeverisë është rritur me mbi 5 miliardë dollarë. Pra, për çdo 1 lekë prodhim të ri, vendi ka marrë 1.2 lekë borxhe.

2014-a ishte viti i fundit i stimulit fiskal, pasi nga ky vit sipas marrëveshjes së FMN, Shqipëria ka nisur politikën e kundërt. Atë të shtrëngimit buxhetor. Sipas planit për tre vitet e ardhshme Qeveria është angazhuar t’ua ulë borxhin në 62.1 për qind. Një politikë e kërkuar me forcë nga FMN dhe shumë ekspertë, por që ngre një pyetje të fortë. A do të arrijë sektori privat ta ringreje ekonominë, pasi siç tregojnë shifrat në 6 vitet e fundit, rritja ekonomike në Shqipëri është gjeneruar nga borxhi.

Top Channel