Ukraina nis tërheqjen e armatimeve të rënda: Armëpushimi po respektohet

26/02/2015 00:00

Trupat ukrainase kanë nisur këtë të enjte tërheqjen e artilerisë nga fronti i luftës në lindje, një lëvizje që njeh në realitet respektimin e armëpushimit, që në fakt duhej të hynte në fuqi prej 15 shkurtit.

Ushtria nisi tërheqjen nën vëzhgimin e reporterëve të huaj të 7 apo 8 armatimeve të rënda nga fshati Paraskoviyvka, në veri të bastionit qeveritar Artemivsk. Më herët, gazetarë të “Reuters” kanë parë edhe një autokolonë të gjatë prej 30-40 mjetesh, të cilat transportonin armët larg frontit, përmes një autostrade.

Lëvizja e fundit është veprimi më i drejtpërdrejtë nga Kievi, i cili bën të mundur njohjen e respektimit të armëpushimit, vetëm një javë pasi forcat qeveritare pësuan një nga humbjet më të rënda përgjatë luftës me rebelët, të cilët fillimisht injoruan armëpushimin për të nisur një ofensivë masive në Debaltseve.

Rebelët prorusë, të cilët u angazhuan se do të respektonin paqen pas ofensivës së suksesshme të tyre, kanë nisur tërheqjen e armatimeve prej 2 ditësh tashmë, por Kievi kishte refuzuar deri më tani të bënte të njëjtën gjë, duke argumentuar se luftimet ende nuk ishin ndalur plotësisht.

Gjithsesi, ushtria nuk ka raportuar asnjë humbje jete në frontin e luftës për të dytën ditë radhazi gjatë së enjtes, hera e parë kjo që nuk preket asnjë ushtar ukrainas që prej diskutimeve të gjata të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania, për arritjen e një marrëveshje paqeje në Minsk.

Tërheqja e artilerisë është “pika e dytë” e marrëveshjes së nënshkruar në kryeqytetin bjellorus, gjë që do të thotë rrjedhimisht se “pika një”, apo siç konsiderohet armëpushimi, është duke u respektuar dhe duke u mbikëqyrur.

“Sot, Ukraina ka nisur tërheqjen e armatimeve 100-mm nga vija e konfrontimit”, thuhej në deklaratën e ushtrisë, e cila shtonte se ky hap duhej monitoruar nga OSBE-ja. Forcat ukrainase bënë të ditur se rezervojnë të drejtën të alternojnë programin e tërheqjes, “në rast se ndodh ndonjë përpjekje për ofensivë”.

Top Channel