Ndihma greke, deputetët gjermanë pritet ta miratojnë shtyrjen

26/02/2015 00:00

Ligjvënësit gjermanë kanë lënë të kuptohet se do të miratojnë zgjatjen e ndihmës ndaj Greqisë me një mazhorancë të theksuar në Parlament gjatë së premtes, edhe pse shumë prej tyre mund ta bëjnë këtë pa dëshirën e tyre, për shkak të frikës së Athina nuk do të mbajë premtimet e saj reformuese.

Koalicioni i kancelares Angela Merkel zotëron një mazhorancë të mjaftueshme për të miratuar këtë marrëveshje, të arritur vetëm pak ditë më parë mes Eurogrupit dhe Greqisë, në dhomën e ulët të Bundestagut gjerman, për ta zgjatur ndihmën edhe për 4 muaj të tjerë. Por shumë deputetë, përfshi edhe vetë ministrin e Financave, Wolfgang Schauble, kanë shprehur shqetësime gjatë ditëve të fundit nëse Athina duhet besuar apo jo.

Në votimin provë të së enjtes, 22 nga 311 ligjvënësit në bllokun konservator të kancelares Merkel, ku bëjnë pjesë kristiandemokratët (CDU) dhe partia-motër bavareze (CSU), kundërshtuan shtyrjen më tej të ndihmës, ndërsa 5 të tjerë abstenuan. Edhe partnerët socialdemokratë të koalicionit (SPD), me 193 vota në Bundestag, votuan unanimisht për shtyrjen e ndihmës në këtë provë.

Duke qenë se edhe “të gjelbrit” opozitarë priten ta mbështesin këtë nismë, ndërkohë që radikalët e majtë janë të përçarë, votimi i së premtes pritet të marrë një mbështetje të konsiderueshme në dhomën prej 631 vendesh, duke “premtuar” shumicën më të madhe në Parlamentin gjerman për ndonjë paketë ndihme të eurozonës deri më sot.

E megjithatë, sërish shumë ligjvënës janë ende të vrazhdë dhe të pabindur për të votuar pro.

Luftaraku Schauble, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Greqisë, ka lobuar përpara ligjvënësve të mbështesin shtyrjen, duke argumentuar se Athina nuk po përfiton kushte më të buta, siç ka bërë në të kaluarën. Por, në shenjë irritimi, ai u ka thënë konservatorëve përpara votimit provë se shtyrja me 4 muaj mund anulohet në çdo moment, nëse Athina dështon të respektojë premtimet e saj, kjo edhe për shkak se vërejtjet e ministrit grek të Financave kanë fituar solidaritetin europian.

Top Channel