Ndreu dhe Cara: Deklarimet e Doshit, tregues i demokracisë së brendshme

26/02/2015 00:00

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me 12 deputetë në selinë e Qeverisë,
mbrëmjen e së mërkures, është perceptuar si një kundërvënie ndaj
deklarimeve të deputetit Tom Doshi.

Por Pjerin Ndreu dhe Parid Cara, 2 prej 12 deputeve ne kete takim, në një intervistë për Top Channel, e hedhin poshtë këtë perceptim.

“Eshtë takim i zakonshëm që Kryeministri bën me grupe deputetësh. Nuk është hera e parë që ne takohemi me Kryeministrin për çështje te ndryshme pune, ku konsultohen çështje të ndryshme në marrëdhënien e Qeverisë me deputetët dhe problemet që na shqetësojnë ne në zonat elektorale. Ky ka qenë një takim i këtij lloj, nuk e kuptoj ndjeshmërinë për këtë takim për ta perceptuar si një takim për qëllime të caktuara. Eshtë krejt e natyrshme që Kryeministri të takojë deputëtët”, tha Ndreu.

Deputeti Ndreu ben kete koment per deklaratat e kolegut Doshi: “Secili deputet ka të drejtën e vet të deklaratave. Ne kemi të tjera probleme sot. Nëse një ministër nuk hap telefonin nuk është problemi i Partisë Socialiste. Problematika e elektoratit është shqetësimi ynë. Ka raste ku jo të gjithë janë të kënaqur, por kjo nuk duhet të na shkaktojë turbullime apo të ngremë akuza ndaj askujt. Mua nuk më rezulton që ndonjë ministër të jetë sjellë keq”.

Ndersa deputeti i Kavajes, Parid Cara nuk i shikon si shqetesuese zerat kritikë brenda Partisë Socialiste.

“Unë kam qenë pjesë e takimit të deputëve në Kryeministri. Gjithësecili nga ne në Partinë Socialiste ka të drejtë shprehjen e mendimit të tij. Këto deklarata nuk mendoj që janë shqetësuese, por mendoj që janë konstruktive. Duhet të përqendrohemi të zgjedhjet e 21 qershorit dhe të dalim me sukses prej tyre”, tha Cara.

Top Channel