Afganistan, 186 viktima nga orteqet e papara prej 30 vitesh

26/02/2015 00:00

Më shumë se 180 persona kanë mbetur të vdekur në veri të Afganistanit, për pasojë të disa prej orteqeve më vdekjeprurëse përgjatë 30 viteve të fundit, bënë të ditur zyrtarë vendas gjatë së enjtes, ndërkohë që reshje të dendura dëbore priten edhe për dy ditë të tjera, pas një dimri jashtëzakonisht të thatë që frikësoi shumë vendas për thatësirë.

Zyrtarët kanë paralajmëruar një emergjencë të pashmangshme humanitare në zonat e prekura më keqazi nga moti i keq, teksa dëbora ka pushtuar fshatra të shumtë dhe ka bllokuar thuajse të gjitha rrugët.

“Nuk kemi parë kaq shumë dëborë, apo kaq shumë orteqe prej 30 vitesh”, tha Abdul Rahman Kabiri, guvernatori në detyrë i provincës malore të Panjshir, në veri të Kabulit, ku 186 vetë mbetën të vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga orteqet.

Pavarësisht se po u sjell mjerim këtyre personave, dëbora është jetike për Afganistanin, ku shumica e popullsisë rurale të varur nga bujqësia, shpresojnë te shkrirja e dëborës nga malet për të ujitur të mbjellat e tyre gjatë pranverës dhe verës.

Bujqësia udhëheq ekonominë e trazuar afgane, duke qenë se rreth 3/4-tat e popullsisë jeotjnë në zona rurale, përllogariti Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Agrikulturën gjatë vitit 2004. Ujitja nuk është e shtrirë gjerësisht në Afganistan, teksa një pjesë e madhe e vendit është gjysmë e thatë, ndaj dhe përpjekjet gjatë dekadës së fundit janë fokusuar kryesisht në zgjerimin e ujitjes, me rezultate herë pozitive e herë negative.

Top Channel