Maqedoni, Thaçi: Procesi i përgjimeve ka nisur prej viteve ’90

26/02/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka thënë se procesi i përgjimit në Maqedoni ka nisur që në fillim të viteve ’90 dhe kërkoi formimin e një komisioni parlamentar për hetimin e kësaj afere.

“Konstatova se procesi i përgjimit nuk është një proces i ri në Maqedoni. Ai ka nisur prej vitit ’92 dhe viktima kryesore është kryetari i tanishëm i PDSH-së. Kërkova që këtë çështje ta institucionalizojmë, të krijojmë një komision hetimor në Parlament, i cili do të merret me çështjet e përgjimeve që nga viti 1992. Këtë komision duhet ta drejtojë PDSH-ja, sepse është e vetmja parti që nuk ka marrë pjesë në të tilla aktivitete të paligjshme dhe jonjerëzore”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Thaçi theksoi rëndësinë e rifillimit të dialogut politik dhe tha se situata nuk mund të tejkalohet, nëse katër partitë kryesore nuk diskutojnë për çështjet thelbësore.

“Mendoj se çështja e zgjedhjeve të parakohshme apo e qeverisë teknike duhet të jetë në pikat e fundit të këtij dialogu. Pikat e para të tij duhet të jenë çështjet thelbësore, procesi integrues, raportet ndëretnike apo të drejtat e shqiptarëve, analiza e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, gjyqësori dhe mediat”, tha Menduh Thaçi.

Pas një takimi me një delegacion nga Brukseli, kreu i PDSH-së tha se situata në Maqedoni është serioze dhe bëri thirrje për veprime të kujdesshme.

Top Channel