27 milion ton pluhur nga Saharaja në Amazonë

26/02/2015 00:00

Nëse mendoni se pyjet e Amazonës dhe shkretëtira e Saharasë nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, atëherë gaboheni rëndë.

Çdo vit Amazona “importon” prej shkretëtirës afrikane 27.7 milion ton pluhur të pasur me fosfor, që është një element thelbësor për botën bimore të saj.

Në vitin 2006 NASA hodhi në hapësirë teleskopin “Calipso”. Detyra e tij ishte vëzhgimi dhe studimi i atmosferës dhe grimcave mikroskopike të saj. Mes vëzhgimeve të “Calipso” ishte edhe kapja e udhëtimit prej mijëra kilometrash të pluhurit të ngritur nga Saharaja drejt Amerikës Latine e Amazonës.

Shkencëtarët e NASA-s deklarojnë  se çdo vit nga sipërfaqja prej 4.8 milion kilometrash katrorë e shkretëtirës së Saharasë zhvendosen 182 milion ton pluhur që shpërndahen në pjesën tjetër të globit.

Hongbin Yu, shkencëtar i atmosferës i qendrës hapësinore Goddard thotë se ky fenomen ka një rëndësi të veçantë në ekosistem.

“Është një përbërës i rëndësishëm. Ky pluhur ndikon tek ndryshimet klimatike, po ashtu si ndryshim klimatike ndikojnë mbi të”, thotë ai.

Top Channel