BE, Mogherini-Lavrov, bisedë telefonike për furnizimin me gaz të Ukrainës

26/02/2015 00:00

Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, ka zhvilluar një bisedë telefonike 20-minutëshe, për të diskutuar mbi problemet e furnizimit me gaz dhe implementimin e armëpushimit në lindje të Ukrainë, me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, këtë të enjte.

Mogherini u tha reporterëve se ishin diskutuar gjithashtu edhe mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor të Iranit, dhe sesi të inkurajohet një zgjidhje diplomatike e konfliktit në Libi. “Diskutuam mbi mënyrat sesi mund të zgjidhen çështjet e furnizimit me gaz në nivel tripalësh”, tha Mogherini, duke iu referuar Rusisë, Ukrainës dhe Bashkimit Europian.

Komisioni Europian njoftoi më herët se kishte ftuar ministrat e Jashtëm rusë dhe ukrainas për bisedime në Bruksel gjatë së hënës së ardhshme, pasi Rusia deklaroi se do të ndalonte furnizimin me gaz drejt Ukrainës, nëse Moska nuk merrte parapagesë, duke rritur kështu mundësinë e ndërprerjes së dërgesave të ardhshme drejt Europës.

“Do të zhvillohet një takim gjatë së hënës. Ministri rus i Energjisë do të jetë gjithashtu pjesëmarrës. Ne kemi rënë dakord që, nëse gjërat shkojnë mirë, të mund të zhvillojmë një dimension dypalësh për bisedimet energjitike mes BE-së dhe Rusisë”, tha Mogherini.

Bashkimi Europian dhe Rusia kanë pasur prej vitesh një “dialog mbi energjinë”, për të diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e energjitikës, por ka pasur shumë pak përpjekje për të punuar së bashku, që kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina vitin e kaluar, gjë që detyroi BE-në të vendose sanksione ekonomike ndaj Moskës.

Sa i përket Libisë, ku Kombet e Bashkuara po përpiqen gjithashtu të ndërmjetësojnë një marrëveshje mes grupeve rivale, Mogherini tha: “Kemi rënë dakrod t’i japim një shans edhe përpjekjes së fundit diplomatike, mbi mënyrën sesi të mbështesim dialogun e ardhshëm, përfshi një rezolutë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Ndaj mund të themi se, edhe këtu, do të kemi të bëjmë me rusët”.

Top Channel