Ancelotti: Ëndërroj një Botëror me Italinë

26/02/2015 00:00

Carlo Ancelotti ka një ëndërr të madhe, të cilën kërkon ta realizojë në të ardhmen. “Të bëhem trajner i kombëtares italiane të futbollit – por jo në një periudhë dosido, – dhe të fitoj një kampionat botëror”.

Zbulimi i fundit ka ardhur nga vetë tekniku i Real Madrid, i cili ka marrë pjesë në një event të Universitetit Europian të Madridit, të organizuar në zonën VIP të stadiumit “Santiago Bernabeu”.

Ancelotti ka folur edhe për merkaton paksa, apo më saktë për një nga talentët madrilenë që ndodhet i huazuar te Juventus, Alvaro Morata. Sulmuesi spanjoll ka gjetur vetëveten në Torino, ndërsa prindërit e tij e bëjnë vajtje-ardhje rrugën Spanjë-Itali. Ndërsa një mik i tij ndodhet në Itali, jeton me të, duke u bërë si një hije. Madridi duket se do të mbetet në zemrën e tij, sepse atje është rritur si individ dhe si futbollist, por prej andej vjen edhe bekimi i një trajneri që e kërkoi me ngulm për një sezon, e më pas e lejoi të largohej.

“Alvaro kishte nevojë të luante – tregon trajneri i Realit, – është një djalë i ri dhe shprehu dëshirën për të shkuar gjetkë, ku mund të luante më shpesh dhe në vazhdimësi. Kishte shumë oferta, por ai zgjodhi Juventusin”.

Morata, nën drejtimin e Carlettos mundi të luante edhe në Champions League, ndërsa me Mourinhon kishte luajtur vetëm pak minuta kundër Ajaksit në sezonin 2012-13. Ishte pikërisht trajneri italian që i dha mundësinë të luante si titullar ndaj Schalkes, një besim i ripaguar me një gol, i pari dhe i vetmi në Champions, përpara se t’i vinte radha të shënonte ndaj Borussia Dortmund, me fanelën bardhezi.

“Vitin e kaluar me mua, edhe pse luajti pak, ka dhënë shumë. Është një sulmues modern, vrapon, ka ritëm dhe intensitet. Është gjakftohtë përpara portës dhe punon shumë. Por nuk jemi penduar, pasi largimi i tij është vlerësuar në të gjitha aspektet. Në kontratën e Moratas ekziston e drejta për ta kthyer në Madrid, nga ana e Realit, por besoj se do të qëndrojë te Juventusi”.

Ndërkohë, bardhezinjtë kanë të drejtë ta riblejnë lojtarin në fund të huazimit, në vlerën prej 30 milionë eurosh, por që mund të shfrytëzohet duke nisur nga qershori i vitit 2016.

Top Channel