Me gjithë optimizmin pas zgjatjes së marrëveshjes së borxhit me 4 muaj, Athina sheh me shqetësim të madh dy pengesa, që mund të rrëzojnë gjithçka në muajt e ardhshëm: mungesën e likuiditetit bankar dhe rrjedhjen e depozitave greke.

Sipas statistikave të Bankës së Greqisë, në tre muajt e fundit janë tërhequr nga bankat e vendit mbi 28 miliardë euro dhe shuma e depozitave ka shkuar në 135 mld euro, duke mbërritur në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit. Hemorragjia bankare ka ndaluar vetëm të martën e kaluar, pas marrëveshjes me Eurogrupin, dhe është regjistruar për herë të parë pas 90 ditësh rikthimi i 850 milionë eurove.

“Bankat, pas rritjes së fundit të kapitaleve, kanë një bazë të mjaftueshme financiare, por presioni që po bëhet mbi likuiditetin e tyre, veçanërisht në muajt e fundit, mbetet i fortë”, tha Janis Sturnaras, guvernator i Bankës së Greqisë.

Nga ana tjetër, Greqia duhet të paguajë deri në fund të vitit mbi 29 miliardë euro për borxhet e prapambetura dhe interesat e kredive të marra, një shumë që për momentin duket e papërballueshme për t’u gjetur, nëse nuk ndihmohet nga BQE.

Burime nga Brukseli vleresojnë se Greqisë mund t’i duhet një paketë e tretë ndihme në këto dy vjet, me vlerë nga 20-30 miliardë euro. Përballë kësaj mundësie, tabloidi më i madh i Gjermanisë “BILD” u ka bërë thirrje lexuesve të dërgojnë sa më shumë “selfie” me fjalën ‘Jo’ në dhënien e miliardave të tjera ndihmë për Greqinë, një thirrje që është kritikuar në fakt nga mediat e tjera gjermane.

“Nëse nuk paguani borxhet, nuk ekziston asnjë marrëveshje e re”, ka qenë mesazhi ndaj Athinës i kreut gjerman të Financave, Ëolfgang Schauble. Në të njëjtën kohë, shumica e ligjvënësve të bllokut konservator të kancelares Merkel kanë aprovuar zgjatjen e marrëveshjes për Greqinë, ndërsa pritet votimi i 631 deputetëve të Parlamentit gjerman ditën e premte.

“Qeveria e re greke ka shfaqur një ton, që nuk ka qenë i zakonshëm në Evropë deri në këtë pikë. Megjithatë, ne jemi duke marrë vendimet tona, jo në bazë të këtyre sjelljeve të padisiplinuara që vijnë prej andej, por sepse këto vendime janë në interes të Gjermanisë dhe të Europës. Prandaj, ne do të votojmë ‘Po’ të premten”, tha Volker Kauder, lider i bllokut konservator.

Ndërkohë, sa vjen e rriten pakënaqësitë brenda Qeverisë “Tsipras”, me pretendimin se po shkelen premtimet paraelektorale. Analistët vlerësojne se kryeministri grek do të konfrontohet me një opozitë të trefishtë: atë brenda gjirit të radikalëve të majte, që nuk pranon devijimet totale; me grupet e ndryshme të cilat kundërshtojnë reformat, për shkak të interesave financiare që humbasin; dhe me opozitën reale të konservatorëve grekë, që në fakt tani për tani mendojnë për të ardhmen e partisë së tyre.

Top Channel