Procesi ndaj Ivanoviç, vijojnë dëshmitë për vrasje të shqiptarëve

26/02/2015 00:00

Gjatë seancës së të enjtes, kundër Oliver Ivanoviç ka dëshmuar Faik Hyseni, i cili e ka akuzuar atë se ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në prill të vitit 1999.

Hyseni, nga fshati Tërnac i komunës Skënderaj, i cili jeton në veri të Mitrovicës, ka thënë se gjatë periudhës së vitit ’99, paraushtarakët serbë kanë larguar nga shtëpitë e tyre familje të tëra plot katër herë.

Sipas tij, herën e parë më 17 maj, ai është nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe është detyruar të shkojë në drejtim të Shqipërisë.

Sipas agjencisë “Kosovapress”, Hyseni tha se e njeh shumë mirë Oliver Ivanoviçin dhe se e kishte parë shumë herë me uniformë dhe të armatosur afër urës kryesore të Ibrit, ku nuk i lejonte shqiptarët që të kalonin urën. Sipas tij, Oliver Ivanoviçi ka qenë prijës i grupeve me uniforma.

Po ashtu, Hyseni tregoi në gjykatën në veri të Mitrovicës, se gjatë shkurtit të vitit 2000 Ivanoviç ka sulmuar atë dhe familjen e tij në banesë, dhe se është plagosur në kokë dhe pastaj është shëruar pas ndihmës së KFOR-it francez.

Përveç familjes së tij, dëshmitari ka shtuar se 48 familje gjithsej nga blloku i banesave të njohura si “Tre Soliteret”, atë ditë janë përzënë nga banesat e tyre dhe i janë nënshtruar sulmeve fizike.

Seanca gjyqësore ndaj Oliver Ivanoviçit do të vazhdojë më 11 mars, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Top Channel