ISIS shkatërron artefakte antike të Muzeut të Mosulit

26/02/2015 00:00

Shteti Islamik ka publikuar së fundi një video, e cila supozohet se shfaq militantët të përdorin varrè për të shkatërruar artefakte antike të qytetit verior të Irakut, Mosul, të cilat i përshkruajnë si idhuj që duhen zhdukur.

Shkatërrimi i tyre është pjesë e fushatës së ekstremistëve, të cilët kanë rrënuar një pjesë të mirë të vendeve të shenjta, përfshi ato muslimane, për të eliminuar atë që ata e konsiderojnë si herezi. Besohet gjithashtu se ata kanë shitur artefakte antike në tregun e zi, në mënyrë që të sigurojnë të ardhura për të financuar fushatën e tyre gjakderdhëse anembanë rajonit.

Video detyroi kreun e Agjencisë Kulturore të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, t’i kërkojë presidentit të Këshillit të Sigurisë së OKB-së një takim emergjent mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Irakut. Irina Bokova tha përmes një deklarate se ajo ishte “thellësisht e shokuar” nga pamjet.

Videoja pesëminutëshe e publikuar gjatë së enjtes tregon një grup personash me mjekër brenda Muzeut të Mosulit, të cilët përdorin çekanë dhe trapanë për të shkatërruar disa statuja të mëdha, të cilat shfaqen më pas pjesë-pjesë të dëmtuara.

Pamjet tregojnë gjithashtu një burrë të veshur me të zeza pranë një vendi arkeologjik, i cili shpon përmes një “demi me krahë”, një perëndi asiriane e mbrojtjes, që daton nga shekulli i VII përpara lindjes së Krishtit.

Mes vendeve më të rëndësishme arkeologjike që ndodhen nën kontrollin e militantëve të ISIS janë Nineveh, Kalhu, Dur Sharrukin dhe Ashur, të cilat në kohë të ndryshme kanë qenë kryeqytete të perandorisë së fuqishme asiriane. Asirianët kanë ekzistuar fillimisht rreth viteve 2500 përpara Krishtit dhe dikur sundonin në një territor që shtrihej nga brigjet e Mesdheut, deri në atë që sot është Irani.

Në rrezik është edhe vendi i shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Hatra, që mendohet të jetë ndërtuar në shekujt II apo III përpara Krishtit, nga perandoria Seleucide, që ka lulëzuar rreth shekujve të parë dhe të dytë si një qendër fetare dhe tregtare.

Shkatërrimi i artefakteve irakiane në Mosul bëhet në vazhdën e shfaqjeve që kanë për synim trashëgiminë e kombit.

Top Channel