Kriza e borxhit, protesta të dhunshme në Athinë përpara votimit në Gjermani

27/02/2015 00:00

Me dhjetëra protestues në Athinë u përleshën me policinë në demonstratën e parë antiqeveritare që prej muajit të kaluar kur Syriza erdhi në pushtet.

Protestuesit hodhën bomba molotov dhe qëlluan me gurë ndaj forcave të policisë. Trazirat erdhën para votimit të ditës së premte në Parlamentin gjerman për zgjatjen e ndihmës financiare ndaj Greqisë.

Marrëveshja, e miratuar nga Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë javën e kaluar, ka pasur kontestime edhe brenda vetë Syrizas. Nëse marrëveshja do të ratifikohet, ajo do të zgjaste ndihmën edhe për 4 muaj të tjera, në këmbim të reformave qeveritare.

Rreth 450 protestues dolën në rrugët e Athinës ditën e enjte për të shprehur zemërimin e tyre. Pas marshimit, rreth 50 demonstrues u përleshën me forcat e sigurisë. Gjatë përleshjeve, protestuesit thyen xhamat e dyqaneve, dogjën makina dhe shkatërruan stacionet e autobusëve.

Ministrat e Financave të Eurozonës miratuan të martën një sërë propozimesh për reforma të paraqitura nga Greqia, por në disa shtete është e nevojshme votimi në parlament për të miratuar përfundimisht zgjatjen e ndihmës.

Si fuqi dominuese ekonomike në BE, miratimi në Parlamentin gjerman konsiderohet si vendimtar. Në votimin provë të së enjtes, 22 nga 311 ligjvënësit në bllokun konservator të kancelares Merkel, ku bëjnë pjesë kristiandemokratët (CDU) dhe partia-motër bavareze (CSU), kundërshtuan shtyrjen më tej të ndihmës, ndërsa 5 të tjerë abstenuan. Edhe partnerët socialdemokratë të koalicionit (SPD), me 193 vota në Bundestag, votuan unanimisht për shtyrjen e ndihmës në këtë provë.

E megjithatë, sërish shumë ligjvënës janë ende të vrazhdë dhe të pabindur për të votuar pro.

Luftaraku Schauble, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Greqisë, ka lobuar përpara ligjvënësve të mbështesin shtyrjen, duke argumentuar se Athina nuk po përfiton kushte më të buta, siç ka bërë në të kaluarën. Por, në shenjë irritimi, ai u ka thënë konservatorëve përpara votimit provë se shtyrja me 4 muaj mund anulohet në çdo moment, nëse Athina dështon të respektojë premtimet e saj, kjo edhe për shkak se vërejtjet e ministrit grek të Financave kanë fituar solidaritetin europian.

Top Channel