Fotot e para pa maskë të ‘kasapit’ të ISIS-it

27/02/2015 00:00

I buzëqeshur dhe i lumtur mes shokëve e shoqeve të klasës. Kështu shfaqet në imazhet e para të publikuara nga mediat britanike ‘kasapi’ i ISIS, i njohur ndryshe si “Jihadi John”, e tashmë i identifikuar si Mohammad Emwazi.

Miq, mësues dhe shokët e tij të klasës e përshkruajnë si një njeri të qetë, të lumtur dhe për më tepër i çmendur pas futbollit.

“Dukej më shumë i tërhequr pas sportit, futbollit se sa ndaj islamit”, thotë një mësues i tij.

Ai është djali i një shoferi kuvajtian dhe dinte pak fjalë anglisht në momentin kur mbërriti në Londër në vitin 1993. Ai ka edhe 3 motra e vëllezër të tjerë, që të gjithë të lindur në Angli, të cilëve autoritetet britanike nuk ua bëjnë publike identitet për shkaqe sigurie.

Emwazi u shfaq fillimisht në një video në muajin gusht, ku shihet duke i prerë kokën fotoreporterit amerikan James Foley. Më vonë, është po xhihadisti i egër me theksin e fortë britanik, ai që ekzekuton në të njëjtën mënyrë gazetarin tjetër amerikan, Steven Sotloff, punonjësin britanik të ndihmës, David Haines, shoferin britanik Alan Henning dhe punonjësin social amerikan, Peter Kassig.

Në të gjithë filmimet, ai shfaqet i veshur me të zeza dhe me fytyrën të mbuluar, ku nuk i shihen veçse sytë. Nuk dihet ende nëse identitetin e militantit londinez e kanë zbuluar shërbimet amerikane të sigurisë apo ato britanike. Por, e sigurt është që MI5-sa e kishte listuar që në 2011-tën “si person me interes”.

ISIS-i ndërkohë raportohet të ketë rrëmbyer gati 100 të krishterë të tjerë, duke e çuar në 262 numrin e pengjeve në duart e tij. Mes tyre ka gra, fëmijë e të moshuar. Ekziston frika se të gjithë këta njerëz mund të pësojnë fatin e të krishterëve të shënjestruar në Irak apo 20 pjesëtarëve të komunitetit kopt në Egjipt, të cilët u ekzekutuan muajin që shkoi në një plazh të Libisë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel