Bukureshti, ndihmë për integrimin dhe energjinë. Rama: Rumania të njohë Kosovën

27/02/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama është pritur nga homologu i tij Viktor Ponta në një vizitë zyrtare një ditore në kryeqytetin rumun, Bukuresht.

Pas takimit, të dy kryeministrat kanë dalë në një deklaratë për median nga ku Viktor Ponta tha se Rama mbetet një mik i ngushtë  dhe një partner, në të gjitha projektet që Rumania dhe Shqipëria kanë ndërmarrë për të ardhmen.

“Rumania do të mbetet një nga mbështetëset kryesore të integrimit europian të Shqipërisë. Një prej çështjeve kryesore të diskutimeve lidhet me ekspertizën që Rumania do ti japë Shqipërisë për integrimin. Dikutimet tona përfshinë edhe ato të fushës së energjitikës pasi Rumania ka një mbishtesë të prodhimit të energjisë nga e cila Shqipëria mund të përfitojë dhe duhen gjetur mundësitë kontraktuese. Kemi nënshkruar sot gjithashtu marrëveshjen për mbështetjen sociale. Së shpejti ministrat e të dy vendeve do të paraqesin projektet dhe propozimet e tyre për zbatimin e saj”, tha Ponta.

Rama ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy qeverive si tejet të ngushtë. Çfarë kemi folur në takimin e 18 marsit në Tiranë, – theksoi ai, – ka nisur të përkthehet në hapa konkretë.

“Kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale, e cila i garanton të gjithë ata që punojnë këtu lidhur me kontributet e tyre. Jemi në prag të finalizimit të një tjetër hapi të rëndësishëm, që do të sigurohet në marrëveshjen e dy ministrive të Arsimit, për një kuotë bursash për studentët shqiptarë që do të vijnë të studiojnë në fushën e IT-së. Po shkojmë drejt finalizimit të një marrëveshjeje të parë, por jo të fundit, në fushën e bashkëpunimit për energjinë. Nga ana tjetër i jam mirënjohës kryeministrit për gatishmërinë për të na mbështetur menjëherë në projektin tonë të përbashkët me Komisionin Europian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh në ministritë dhe agjencitë tona, që do të na këshillojnë dhe ndihmojnë në procesin e integrimit dhe posaçërisht në përgatitjen për procesin e negociatave në Bashkimin Evropian”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar ka përsëritur kërkesën se tashmë ka ardhur koha që Rumania ta njohë Kosovën si shtet.

“Kërkesa ime e përsëritur, sigurisht e fundit jo për nga rëndësia dhe urimi im që Rumania më në fund ta njohë Kosovën dhe t’i japë mundësi Kosovës, që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere, që tanimë e kanë njohur Kosovën. Ne besojmë se sot që njohja e Kosovës nga Rumania dhe vende të tjera europiane është një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës tonë të përbashkët europiane dhe fuqizimit të lidhjeve në këtë hapësirë për të mos lejuar që të tjera forca të mund të influencojnë duke përfituar nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi”, tha Rama.

Gjatë qëndrimin në Bukuresht Rama do të marrë pjesë edhe në promovimin e një libri.

Top Channel