Luftëtarët e ISIS paguhen nga paratë e trafiqeve

27/02/2015 00:00

Ideologjia ekstreme e ISIS-it vazhdon të tërheqë të rinj nga thuajse çdo pjesë e globit. Djem, e së fundi edhe vajza të reja, i bashkohen xhihadistëve disa për bindje fetare, të tjerë të joshur nga aventura, një pjesë të nxitur edhe nga dëshira për krime e dhunë.

Por ka dhe një detaj i cili nuk është përmendur shumë në media: të gjithë luftëtarët e ISIS-it paguhen për shërbimet e tyre. E thënë ndryshe marrin një rrogë që në muaj shkon mesatarisht 500 deri në 600 dollarë. Ka gjithashtu të dhëna se luftëtarët e ISIS mbështesin financiarisht për bamirësi jetimët, vejushat dhe të plagosurit.

Sipas gazetës “Al-Araby al-Jadeed” për 2015-n buxheti i organizatës terroriste llogaritet tek 2 miliardë dollarë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe më i lartë se kaq. Tregtia e naftës ka qeëe burim kryesor të ardhurash për ISIS-in, por sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar kanë dëmtuar shumë prej zonave prodhuese të arit të zi të kontrolluara nga xhihadistët, e sot, ky biznes është tkurrur dukshëm.

Paratë vijnë sidoqoftë edhe nga burime të tjera. Si fillim, janë të ardhurat e pavërtetuara, por të shumëpërfolura nga shtetet e Gjirit Persik. Pasanikë që simpatizojnë idetë e tyre ekstremiste u dërgojnë militantëve shuma të konsiderueshme. të tjerë nisin çanta me dollarë nga frika se ISIS-i mund të bëhet aktiv edhe në Gadishullin Arabik, e shpreson që në këtë mënyrë do ta mbajë larg.

Të ardhurat sigurohen edhe nga tregtia e cigareve, drogës, telefonave celularë, antikuareve, trafikimi i qënieve njerëzore, e së fundi flitet edhe për trafik organesh.

Ekspertët mendojnë se një pjesë e suksesit të organizatës terroriste i detyrohet përvojes së anëtarëve të saj, në mesin e të cilëve nuk ka vetëm të rinj pa orientim. Ata ndajnë bindjen se bizneset e ISIS-it, nuk mund të parandalohen vetëm me masa policore apo ushtarake. Shteti islamik  duhet trajtuar edhe si konkurrent ekonomik të cilit nuk mjafton t’i presësh burimet e të ardhurave, por duhet edhe të mendosh se si t’ia mposhtësh biznesin e paligjshëm me një biznes legal.

Top Channel