Parlamenti gjerman miratoi marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për zgjatjen e borxhit edhe me katër muaj të tjerë.

532 deputetë votuan pro marrëveshjes, 32 votuan kundër dhe 13 të tjerë abstenuan. Para votimit, Ministri i Financave, Wolfgang Schauble u shpreh pro marrëveshjes.

“Ne gjermanët duhet të bëjmë gjithçka për ta mbajtur Europë të bashkuar, gjithçka që është e mundur. Nuk po flasim për miliarda të reja për Greqinë, por për kohë për të përfunduar në mënyrë të suksesshme këtë program”, tha ai.

Brenda Gjermanisë ka patur skeptikë në lidhje me marrëveshjen. “Bild” një ditë më parë u hap me titullin “Jo!”, duke vijuar më tej “Jo më miliarda për grykësit grekë”.

Më herët edhe vetë Ministri Schauble është shprehur skeptik mbi reformat e propozuara nga Athina. Por të vendosur në këtë situatë, deputetët gjermanë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta miratonin marrëveshjen, pasi një dalje e Greqisë nga Eurozona do të kushtonte më shumë se sa programi i shpëtimit.

Marrëveshja përçau edhe Greqinë. Kryeminstri Tsipras e mbron atë, por disa deputetë nga brenda Syriza-s deklarojnë se janë tradhëtuar premtimet elektorale, ndërsa një ditë më parë me dhjetëra protestues në Athinë u përleshën me policinë në demonstratën e parë antiqeveritare që prej muajit të kaluar, kur Syriza erdhi në pushtet.

Ministrat e Financave të Eurozonës miratuan të martën një sërë propozimesh për reforma të paraqitura nga Greqia, por në disa shtete është e nevojshme votimi në parlament për të miratuar përfundimisht zgjatjen e ndihmës.

Si fuqi dominuese ekonomike në BE, miratimi në Parlamentin gjerman konsiderohej si vendimtar.

Top Channel