Radhë për të paguar energjinë, shtyhet afati për faturat e prapambetura

27/02/2015 00:00

Pas fluksit të madh të qytetarëve në ditët e fundit të pagesës së
borxheve të energjisë, duke falur kamatvonesat me 80 %, Ministria e
Energjisë ka vendosur të shtyjë me një muaj afatin e vlefshmërisë së
skemës lehtësuese.

“Të gjithë qytetarët që rezultojnë debitorë ndaj OSHEE-së do të kenë mundësi që deri në 31 mars të paraqiten në zyrat e kompanisë për të lidhur akt-marrëveshjet në kushte lehtësuese për aktet që kanë qenë në fuqi deri më tani. Shpreh falenderimin tim për të gjithë ata qytetarë që po zgjedhin të bashkëpunojnë me Operatorin e Shpërndarjes”, tha ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

Skema lehtësuese e Qeverisë u mundëson qytetarëve që kanë miliona lekë debi ndaj shtetit të paguajnë vlerën e principalit dhe 20 % të kamatvonesave. Nga nisja e zbatimit të këtij vendimi, më 4 dhjetor, pranë Operatorit të Shpërndarjes janë nënshkruar mbi 233 mijë akt-marrëveshje me abonentë debitorë familjarë.

Mbi 139 mijë prej tyre kanë shlyer plotësisht borxhin ndërsa janë edhe rreth 15.800 familje të klasifikuara me ndihmë ekonomike që kanë firmosur akt-marrëveshje për shlyerjen e borxhit me 1 mijë lekë për muaj.

Vlera totale nën aktmarrëveshje për tre muaj është 42.6 miliardë lekë, ndërsa totali i arkëtuar është 5.2 miliardë lekë. Kreu i OSHEE-së Adrian Çela tha se afati i ri i kompanisë do të jetë shansi i fundit për të përfituar nga skema lehtësuese, si dhe bëri publike një skemë të re për bizneset, që hyn në fuqi në datën 1 mars.

“Industritë e rënda dhe industritë e mëdha do të kenë mundësinë e shlyerjes së detyrimit me 6 këste të barabarta brenda 31 dhjetor 2015. Biznese të mëdha në autostradën Tiranë-Durrës, etj do ta shlyejnë detyrimin me 12 këste të barabarta. Ata që janë lidhur me rrjetin 10/20 kilovolt e kanë afatin deri në 31 dhjetor 2016 dhe ata të linjës 6 kilovolt deri më 31 dhjetor 2017”, tha administratori i OSHEE-së.

Çela tha se për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve OSHEE ka hapur 50 sportele të reja në të gjithë vendin dhe se puna vazhdon me dy turne deri në orën 22:00 të mbrëmjes. 

Top Channel