Kokëdhima: Drekë kolegësh me Doshin; deputeti i PS insiston për legalizimin e kanabisit

27/02/2015 00:00

Në një konferencë për shtyp, deputeti Koço Kokëdhima ka komentuar takimin e tij me deputetin Tomë Doshi, pas deklaratave të ashpra të këtij të fundit në drejtim të mazhorancës dhe qeverisë.

“Unë nuk e kam bërë drekën e djeshme për një simbolikë të caktuar, ose lidhur me situatën e djeshme. E kam bërë normalisht sepse dëshiroja të rrija me këtë deputet. S’ka asnjë aryse tjetër”, deklaroi Kokëdhima.

Një theks të veçantë deputeti Kokëdhima ia ka vënë dhe nismës së tij, politike deri më tani, siç e cilëson ai, të legalizimit të kanabis sativës për qëllime mjekësore.

“Është kaq i shpejtë progresi me ekonominë e kanabisit në botë, saqë në vitin 2020 besohet se nuk do ketë asnjë shtet në botë që nuk do ta ketë legalizuar kanabisin. Përse të mos e shqyrtojmë dhe ne mundësinë që të përfitojmë nga ekonomia botërore e kanabisit? Ka kulturë bujqësore në Shqipëri për këtë çështje dhe ka një brend kanabisi që njihet dhe vlerësohet në Evropë”, tha Kokëdhima.

Por Kokëdhima ka kritikuar ashpër dhe legjislacionin aktual për personat që arrestohen me kanabis, duke kërkuar dhe ndryshimin e tij.

“Është më ekstremisti në planet. Dënimi që jepet për një person me 3 gramë hashash është i njëjtë me atë që marrin ata që trafikojnë kilogramë drogërash të forta. Pa tjetër që meriton të kemi një legjislacion shumë më të arsyeshëm e të drejtë”, shtoi Kokëdhima.

Top Channel