Xhihadisti John, Cameron mbron shërbimet sekrete: Na kanë shpëtuar nga shumë komplote

27/02/2015 00:00

Kryeministri britanik ka dalë në mbrojtje të shërbimeve të sigurisë, për shkak të kritikave se ata dështuan të ndalnin Mohammed Emwazi, i njohur si “xhihadisti John”, t’i bashkohej Shtetit Islamik në Siri.

David Cameron tha se shërbimet sekrete kanë bërë “gjykime tepër të vështira” në emër të Britanisë së Madhe. Komentet e tij vijnë pas publikimit të lajmit se Emwazi ishte i njohur për autoritetet vendase.

Kryeministri deklaroi më pas se nuk do të komentojë raste specifike, por kërkoi nga publiku të mbështesin shërbimet e sigurisë.

Emwazi, i cili është rreth të 20-ave, u shfaq për herë të parë në një video të Shtetit Islamik gushtin e vitit të kaluar, kur ekzekutonte me prerje koke gazetarin amerikan James Foley.

Më pas, ai mendohet të ketë qenë edhe në videot e ekzekutimeve të ndihmësit britanik David Haines, gazetarit amerikan Steven Sotloff, taksistit britanik Alan Henning dhe ndihmësit amerikan Abdul-Rahman Kassig, i njohur ndryshe edhe si Peter Kassig.

Analistë të shumë ngrejnë pyetjen sesi mundi dikush i përfshirë në listën e vëzhgimeve me rrezikshmëri terroriste, një person me shqetësueshmëri tepër të lartë, mundi të largohej nga Britania drejt Sirisë, i papenguar fare”.

Ndërkohë grupi britanik i të drejtave, Cage, ka bërë të ditur se edhe shërbimet sekrete MI5 mund të kenë kontribuuar në radikalizimin e Emwazit. “Doëning Street” reagoi menjëherë, duke thënë se pretendimi është “tërësisht i dënueshëm”, ndërsa kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, i përshkroi komentet e Cage si një “apologji për terrorizmin”.

Cameron mbrojti shërbimet e sigurisë, duke lavdëruar punën e “këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm, burra dhe gra”. Ndër të tjera, ai tha se “jam takuar me to rregullisht, u kam kërkuar shpesh herë se çfarë bëjnë ata dhe përgjatë eksperiencës sime thuajse 5-vjeçare si kryeministër, mendoj se ata janë tepër mbresëlënës, punëtorë të palodhshëm, të dedikuar, kurajozë dhe tepër efektivë në mbrojtjen e vendit tonë”.

“Gjatë gjithë kohës, ata duhet të bëjnë gjykime tmerrësisht të vështira dhe mendoj se, përgjithësisht, ata bëjnë gjykime shumë të mira në emër të popullit tonë. Ndaj mendoj se, ndërsa jemi në mes të kësaj përpjekjeje tepër të madhe për të siguruar që shtetasit britanikë të ndihen të sigurt kudo, gjëja më e rëndësishme është t’i mbështesim ata”.

Cameron shtoi më pas se dedikimi i shërbimeve të sigurisë dhe puna e madhe e tyre “na kanë shpëtuar prej shumë komploteve në rrugët e Britanisë, të cilat mund të na shkaktonin dëme të jashtëzakonshme” përgjatë muajve të fundit. Ai tha se ishte krenar që kishte kaq shumë efektivitet në punën e tyre.

Top Channel