Eddie Redmayne në rolin e një femre

27/02/2015 00:00

Sapo ka fituar një çmim Oscar për interpretimin e një prej burrave më të famshëm në botë (Stephen Hawking) dhe tani Eddie Redmayne po bëhet gati për të interpretuar një grua të famshme. Ose për të qenë më të saktë, një mashkull që u shndërrua në femër. Aktori britanik do të luajë rolin e Einar Wegener, i njohur më vonë si Lili Elbe në filmin ‘The Danish Girl’ (Vajza daneze).

Filmi i vendosur në vitet ’20 tregon sesi piktori Wegener pozoi me veshje femre për bashkëshorten e tij Gerda Waud (e interpretuar nga Alicia Vikander), pasi modelja që duhej të pozonte nuk u paraqit në kohë.

Me kalimin e kohës, Einar u bë Lili dhe nisi shndërrimin e tij në grua.

Redmayne ka thënë për ‘Daily Mail’ se ka nisur të shikojë me imtësi lëvizjet e femrave dhe ka punuar shumë me Alexandra Reynolds-in, e cila e ka ndihmuar edhe për lëvizjet që duhej të bënte në filmin ‘The Theory of Everything’, film për të cilin u vlerësua me Oscar.

Amber Heard, Matthias Schoenaerts dhe Ben Whishaw do të jenë pjesë e kastit të ‘The Danish Girl’. Filmi me regji të Tom Hooper do të jetë kandidat i fortë për sezonin e ardhshëm të ndarjes së çmimeve kinematografike. Pritet që ky film të shfaqet në fund të këtij viti.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel