Një foshnje ndërron jetë në një çerdhe të Tiranës

27/02/2015 00:00

Një foshnje 14-muajshe ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në çerdhen numër 17 të kryeqytetit, pranë zonës së “21 Dhjetorit”.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 15:00 të së premtes, kur edukatoret e kësaj çerdheje kanë pikasur se foshnja me inicialet S.P. gjatë gjumit ishte zbehur në fytyrë.

Menjëherë i mituri është transportuar në pediatri, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, agjentë të policisë së Tiranës kanë marrë në pyetje edukatoret e çerdhes.

Ndërkohë, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin Mjeko-Ligjor të Tiranës, nga ku pritet të dalë dhe ekpsertiza përfundimtare lidhur me shkaqet e vdekjes.

Në një pronocim telefonik për Top Channel, Pëllumb Seferi, drejtor i Qendrës së Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve në Bashkinë e Tiranës, e cila ka nën mbikëqyrje çerdhet në kryeqytet, ka treguar se nga kontakti që ka pasur me edukatoret foshnja ka mbërritur në mëngjes pa asnjë problem shëndetësor.

Kjo gjendje ka vijuar edhe gjatë ditës, ku pas ushqimit të gjitha foshnjet janë vënë në gjumë. Gjatë kësaj kohe, shprehet Seferi, edukatoret kanë vërejtur se i mituri ishte zbehur në fytyrë dhe menjëherë u nis me urgjencë drejt pediatrisë, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës.

Nga ana tjetër, grupi hetimor i ngritur pas kësaj ngjarjeje, veç marrjes së dëshmive nga stafi i çerdhes 17 është në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së foshnjes e më pas për të vijuar hetimet.

Top Channel