Franca dhe Britania përforcojnë qëndrimin ndaj Assad: Jo aleancë me kaosin e terrorin

27/02/2015 00:00

Franca dhe Britania kanë hedhur poshtë çdo mundësi për të rikthyer marrëdhëniet diplomatike me presidentin sirian, Bashar al-Assad, duke thënë gjatë së premtes se një gjë e tillë do t’i jepte fund çdo shprese për një tranzicion politik dhe do t’i shtynte të moderuarit drejt krahut të grupeve të radikalëve islamikë.

Duke parë rritjen furishme të kryengritjeve të Shtetit Islamik, disa prej vendeve anëtarë të Bashkimit Europian janë shprehur me kritika ndaj pozicioneve aktuale në Paris dhe Londër, duke shtuar se ndoshta mund të ketë ardhur koha për të rikthyer komunikimin me Damaskun, duke parë se revolta 4-vjeçare dështoi të rrëzonte nga pushteti Assadin.

Në një shkrim të publikuar në të përditshmen arabe “Al Hayat” dhe në francezen “Le Monde”, ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë kanë shprehur irritimin e tyre ndaj atyre që synojnë të ulen në bisedime me Assadin, duke thënë se ai po shfrytëzon frikën nga Shteti Islamik për të fituar mbështetje ndërkombëtare, duke parë pushtimin e rajoneve të tëra në veri dhe lindje të Sirisë.

“Disa duken sikur janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje”, shkruajnë Laurent Fabius dhe Philip Hammond. “Në realitet, Bashar al-Assad përfaqëson padrejtësinë, kaosin dhe terrorin. Ne, Franca dhe Britania, u kemi thënë ‘Jo’ këtyre të trejave”.

E megjithatë, ka pasur thirrje edhe nga disa politikanë apo ish-zyrtarë nga të dyja vendet, për një strategji të re. Këtë javë, një delegacion prej katër vetash nga parti të ndryshme të Parlamentit francez udhëtuan drejt Sirisë dhe u takuan me Assadin, duke shkaktuar një debat kombëtar mbi këtë çështje.

Ish-shefi i ushtrisë britanike, Lordi Dannant, ka thënë më parë se vendet e perëndimit duhet të punojnë me Assadin për të mposhtur Shtetin Islamik, ndërsa i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, në fillim të këtij muaji shtoi se Assad duhet të jetë pjesë e zgjidhjes për të shpërndarë konfliktin në Siri.

“Pas 220 mijë vdekjesh dhe miliona të zhvendosurve, është e gënjeshtërt të imagjinosh se shumica e sirianëve do ta pranonin të udhëhiqeshin nga dikush që i ka vrarë dhe torturuar ata”, shkruanin më tej Fabius dhe Hammond. “T’i japim fund shpresave të tyre për një të ardhme më të mirë në një Siri pa Assadin, do të ishte një hap drejt radikalizimit të më shumë sirianëve, pra të nxisnim të moderuarit drejt ekstremizmit dhe të konsolidonim një bastion të xhihadistëve në Siri”.

Britania dhe Franca e konsiderojnë largimin e Assadit nga pushteti si një parakusht për negociatat e paqes, por rënia e qeverisë së tij është bërë thuajse e pamundur, pasi lufta vijon e vijon por pa rezultat.

“Për sigurinë tonë, ne duhet të mposhtim Shtetin Islamik në Siri. Na nevojitet një partner, i cili mund të veprojë kundër ekstremistëve, ndaj kemi nevojë për një zgjidhje të negociuar politike”, mbyllnin shkrimin e tyre Hammond dhe Fabius, duke nxitur kështu një kompromis mes elementëve të caktuar të qeverisë aktuale dhe kundërshtarëve relativisht të moderuar të Assadit.

Top Channel