Kosova pajiset me statistikat për bujqësinë

27/02/2015 00:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar të premten rezultatet paraprake të projektit “Regjistrimi i Bujqësisë për vitin 2014”.

Sipas rezultateve, janë 129 mijë e 220 sipërmarrje me aktivitet bujqësor në vitin 2013-2014, që veprojnë në një sipërfaqe të përgjithshme toke prej 257 mijë e 639 hektarë.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi deklaroi se qëllimi i këtij regjistrimi ishte që të mesohet më saktësi struktura e ekonomive bujqësore në vend.

“Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon rezultatet paraprake të regjistrimit të bujqësisë për vitin 2014, të kryer nga data 1 deri më 20 nëntor 2014. Rezultatet paraprake japin një pasqyrë për aktivitetin bujqësor në vend gjatë vitit të kaluar. Qëllimi i këtij regjistrimi ishte që të mblidhen statistika të detajuara për strukturën e ekonomive bujqësore. Një informacion i tillë është vendimtar për zhvillimin e politikave të këtij sektori”, deklaroi Krasniqi.

Nga këto rezultate del që në Kosovë janë gjithësej 253 mijë e 234 krerë gjedhë. Ndërsa numri i përgjithshëm i shpezëve rezultoon 2 milionë e 695 mijë e 344 njësi. Ndërsa rajoni me numrin më të madh të gjedhëve dhe shpezëve rezulton të jetë Prishtina.

Zëvendës-kryeministri Kujtim Shala vlerësoi se kjo është një arritje e madhe për institucionet kosovare, pasi mundëson hartimin e politikave të reja zhvillimore në fushën e bujqësisë.

“Për Kosovën dhe institucionet e saj kjo është një arritje shumë e madhe. Duke ditur që bujqësia në Kosovë është një shtyllë themelore e ekonomisë, realizimi i këtij projekti, përveç se siguron të dhënat që vendit i kanë munguar për një kohë shumë të gjatë, mundëson krijimin e politikave të reja zhvillimore dhe sipas standardeve evropiane në fushën e bujqësisë”, tha Shala.

Ndërsa shefi për bashkëpunim në zyrën e BE-së, Libor Chlad saktësoi se shpallja e këtyre rezultateve është bërë e mundur falë bashkëpunimit shumë të frytshëm mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Këto arritje janë bërë të mundura falë bashkëpunimit të një numri të madh të institucioneve kosovare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Vetëm BE ka kontribuar me rreth 1 milion dollarë për këtë arritje”, tha Chald.

Projekti “Regjistrimi i Bujqësisë për vitin 2014” është realizuar në periudhën kohore 1 deri më 20 nëntor 2014. Në të nuk janë përfshirë katër komunat e veriut, të cilat kanë refuzuar pjesëmarrjen. Rezultatet zyrtare do të publikohen të plota në shtator të këtij viti.

Top Channel