Italia mbështet shtetin e pavarur të Palestinës… në një votim jodetyrues

27/02/2015 00:00

Ligjvënësit italianë kanë miratuar këtë të premte një rezolutë jodetyruese, e cila inkurajon qeverinë të njohë Palestinën si një shtet të pavarur, një lëvizje që thekson për të disatën herë frustrimin e europianëve me negociatat e ngecura për paqe në Lindjen e Mesme.

Vende të shumta europiane kanë nisur të bëhen tepër kritike ndaj Izraelit, teksa shteti hebraik, që pas dështimit të bisedimeve të fundit të ndërmjetësuara nga SHBA-të të prillit të kaluar, ka anancuar me programin e ndërtimit të blloqeve të banimit në territore që palestinezët i kërkojnë si pjesë e shtetit të tyre.

Dhoma italiane e Deputetëve votoi me 300 vota pro dhe 45 kundër, duke miratuar një mocion të sjellë nga Partia Demokratike e kryeministrit Matteo Renzi.

E ndërsa shumica e shteteve të zhvilluara e njohin Palestinën si një shtet, një pjesë e mirë e qeverive europiano-perëndimore nuk e kanë bërë ende diçka të tillë, duke mbështetur pozicionet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara se krijimi i një shteti të pavarur palestinez duhet të bëhet realitet pas negociatave me Izraelin.

Votimi simbolik i së premtes nuk ndryshon aspak qëndrimin politik të qeverisë italiane, që ashtu si vendet e tjera europiane mbështesin ende zgjidhjen e negociuar dyshtetërore.

Irlanda, Britania dhe Franca kanë zhvilluar votime të ngjashme në Parlamentet e tyre gjatë fundit të vitit të kaluar, ndërkohë që Suedia ka hedhur një hap më tej, duke e njohur zyrtarisht Palestinën. Palestinezët kërkojnë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet në Jeruzalemin Lindor.

E ndërsa kufijtë e Gazës janë qartësisht të përcaktuar, territori i saktë që do t’i bashkohet kushtetueshmërisht Palestinës në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor pritet të përcaktohet përmes negociatave me Izraelin, sërish për një zgjidhje dyshtetërore.

Top Channel