Meksika arreston lordin e drogës “La Tuta”, i kërkuar edhe në SHBA

27/02/2015 00:00

Policia meksikane ka bërë të ditur arrestimin e një prej lordëve më të mëdhenj të drogës në vend, Servando “La Tuta” Gomez, duke i dhënë kështu nxitje një qeverie që po luftohet nga dhuna e bandave.

49-vjeçari, dikur mësues, ka qenë objektivi kryesor i përpjekjeve të presidentit Pena Nieto për të rimarrë kontrollin e Michoacan, një shtet perëndimor që është goditur keqazi nga përplasjet mes kartelit “Kalorësit e Tempullit” të drejtuar nga Gomez dhe ushtarëve të armatosur rëndë që përpiqeshin t’i luftonin ata.

Arrestimi i orëve të para të mëngjesit të së premtes vjen në një moment kur Pena Nieto po kërkon me çdo kusht të shuajë zemëratën publike në Meksikë, pas rrëmbimit dhe masakrimit gjatë shtatorit të vitit të kaluar të 43 praktikantëve për mësuesi, nga policia e korruptuar dhe me lidhje me anëtarë të bandave të armatosura.

Ai incident shkaktoi një nga krizat më të thella të drejtimit të Pena Nietos. Prokurori i Përgjithshëm, Jesus Murillo, i cili rrezikonte shkarkimin prej muajsh për trajtimin e ngadaltë të atij hetimi, do të dorëhiqet bëri të ditur një zyrtar i lartë qeveritar gjatë së premtes.

Njoftimi për zëvendësimin e tij mund të vijë me shumë mundësi gjatë pasdites së të premtes, njoftoi një zyrtar tjetër i zyrës së Murillos.

Pas disa muajsh punë nga shërbimet sekrete, policia federale mundi të arrestonte Gomezin dhe disa persona që e shoqëronin në një shtëpi në kryeqytetin e shtetit Michoacan, Morelia. Policia njoftoi se nuk pati shkëmbime të shtënash.

“Ai do të dërgohet në Meksiko Siti gjatë orëve të ardhshme, për të bërë një deklaratë”, tha një zëdhënës i policisë. Javën e kaluar, policia sekuestroi shumë prona në zonën në fjalë dhe arrestoi disa persona të lidhur me Gomezin. Media lokale raporton se informacionet nga pjesëtarë të rrjetit çuan në arrestimin e tij.

Baba i të paktën 7 fëmijëve, Gomez kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për trafikim të metamfetaminës dhe kokainës. Departamenti i Drejtësisë ka thënë gjithashtu se ai është i përfshirë edhe në vrasjen e 12 oficerëve të policisë federale meksikane, gjatë vitit 2009.

Autoritetet meksikane kishin vendosur një shpërblim prej 30 milionë pesos (2 mln dollarë) për kapjen e tij. Që kur qeveria meksikane nisi mësymjen ushtarake në vitin 2007 ndaj karteleve të drogës, më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë, për shkak të dhunës mes bandave rivale.

Top Channel