Lideri i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev deklaroi këtë të premte se posedon dëshmi se pushteti në Maqedoni ka përgjuar edhe diplomatët e huaj.

Sipas tij, bëhet fjalë për të paktën gjashtë ambasadorë të vendeve të ndryshme. Zaev tha se dëshmitë që i posedon do t’ia dorëzojë personalisht ambasadorëve të përgjuar dhe nuk do t’i publikojë para mediave.

“Nga materialet e përgjuara që kemi, deri tani kemi vërejtur se janë përgjuar të paktën gjashtë ambasadorë. Ata janë diplomatët e vendeve më me ndikim. Detaje nuk do të zbuloj pasi ato materiale do t’ua dorëzoj vetëm ambasadorëve të përgjuar dhe përmbajtjen do ta mësojnë vetëm ata”, deklaroi Zaev.

Lideri i opozitës maqedonase bëri të ditur se posedon dëshmi edhe për, siç u shpreh ai, lëshimet që ka bërë kryeministri Nikolla Gruevski për çështjen e emrit dhe për parregullsitë e shumta në zgjedhje. Ai tha se këto dëshmi do t’i publikojë së shpejti.

“Kur të dëgjoni se çfarë ka pranuar Gruevski në bisedimet për çështjen e emrit, atëherë do ta kuptoni se ai i ka cënuar interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Kurse zgjedhjet janë kulmi. Materialet që posedojmë për atë se si janë zbatuar zgjedhjet në vitet 2011, 2013 dhe 2014 dëshmojnë se diçka e ngjashme nuk ka ndodhur askund në botë”, tha Zaev.

Në konferencën për shtyp, kreu i social-demokratëve maqedonas publikoi disa biseda telefonike të vitit 2011 mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ministrit të Transporteve, Mile Janakievski, ku ata dëgjohen duke biseduar për shembjen e një objekti në pronësi të ish-deputetit Fijat Canovski.

Lideri opozitar tha se shembja e këtij objekti ndodhi në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-deputetit Canovskit, për shkak të lidhjeve të afërta me televizionin kritik ndaj qeverisë A1, që u mbyll disa vite më parë.

Top Channel