Konferenca e Privatizimit, një e treta e ndërtimeve informale

27/02/2015 00:00

Një e treta e Shqipërisë është në informalitet, çka sipas ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e bën urgjente nevojën e ndërhyrjes për urbanizimin e zonave informale.

“Kjo shifër është alarmante mbi rëndësinë dhe vëmendjen që duhet të tregojmë për integrimin e 200 zonave informale të identifikuara në terren”, deklaroi Gjermeni në Konferencën rajonale të Privatizimit.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, që saktësoi se, “gjithësej u përllogaritën rreth 427 mijë objekte pa leje”.

“Legalizimi do të thotë që do të vendosim vijë të kuqe dhe që më pas vendi do të hyjë në formalitet. Po ecim paralelisht në njërën anë me legalizimin e shpejtë të zonave informale dhe në anën tjetër me paketa për transformimin urban”, tha më tej zv.kryeministri Niko Peleshi.

Zyrtari nga Maqedonia, vendi që duket se ia ka dalë më me sukses në këtë proces, tha se për të përshpejtuar procesin nevojiten proçedura të thjeshtuara, ndërsa për familjet me të ardhura të pakta kërkohet ndihma e shtetit.

“Ligji për legalizimet në Maqedoni hyri në fuqi në vitin 2011. Kemi 360 mijë aplikime dhe 116 mijë objekte të regjistruara në kadastër. Ligji është praktik, për të legalizuar një banesë paraqitesh në komunë, dorëzon një faturë që paguan energjinë dhe ujin dhe komuna bën legalizimin. Do të këshilloja proçedura të thjeshta dhe që të vendoset vija e kuqe që të mos ketë më ndërtime pa leje”, deklaroi Sllavce Trepski, shef i Agjencisë së Kadastrës së Patundshme në Maqedoni.

Ndërsa Jakup Fetai, përfaqësues i Odës së Gjeodetëve në Maqedoni, nënvizoi se në rastet sociale legalizimi duhet të bëhet falas.

Në ndryshim nga vendi ynë ku, objektet informale janë ndërtuar në tokat private, në shtetet fqinje ato janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e vetë pronarit.

Përfaqësuesi i Kosovës, Agim Radoniqi tha se në Kosovë janë rreth 174 zona informale në të cilat duhet të ndërhyhet për urbanizimin e tyre.

Top Channel