PD insiston për Kokëdhimën: Ka shkelur 150 herë Kushtetutën

27/02/2015 00:00

Partia Demokratike insiston në qëndrimin e saj se, deputeti Koço Kokëdhima e ka shkelur në 6 muaj plot 150 herë Kushtetutën e vendit.

Deputeti Genti Strazimiri i kërkoi kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta që të trajtojë me shpejtësi kërkesën e PD për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi për opozitën Kokëdhima e ka humbur mandatin e deputetit.

“Koço Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private. Pra, Kushtetuta e detyronte të mos përfitonte më asnjë qindarkë.

Mirëpo, deputeti i Edi Ramës, duke injoruar në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin, ka përfituar në xhepin e tij plot 150 herë fonde publike.

Ai jo vetëm nuk hoqi dorë nga aksionet dhe nga përfitimet e të ardhurave nga buxheti i shtetit, por në nëntor të vitit 2013, pra 3 muaj pasi ishte bërë deputet, i rriti aksionet e tij në kompani, duke u bërë aksioner i vetëm me 100 për qind.

Me miqësinë që ka me Edi Ramën, ai mund të vazhdojë të jetë beu i Jugut, por deputet nuk është më. E ka humbur mandatin.

Dhe një këshillë falas: Sugjeroju “juristëve” të tu të lexojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin “Beqja”, gjithashtu mik i Ramës, shkelës vetëm në një rast i ligjit, dmth të paktën 149 herë më pak se kolegu i tij”, deklaroi Strazimiri.

Top Channel