Studentët e Infermierisë në grevë urie. S’ka marrëveshje me ministren e Arsimit

27/02/2015 00:00

Edhe pas më shumë se 48 orësh të ngujuar në ambientet e Fakultetit të Infermierisë, studentët tregohen të vendosur për të vijuar grevën e tyre të urisë.

Kjo gjë është përforcuar më shumë edhe pas diskutimeve të dështuara me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila i vizitoi në orët e mbrëmjes së të premtes.

“Përgjigjen e Qeverisë shqiptare e keni marrë që në momentin kur ju rezultuat studentë të mashtruar nga universitetet ‘piramidë’. Ligji shqiptar thotë: Eshtë detyrim i atyre institucioneve që mbyllen për të akomoduar studentët. Kjo situatë e ligjit shqiptar iu është bërë prezente herë pas here, në të gjitha kontaktet që ne kemi pasur. Por, ne kemi shprehur që në krye të herës vullnetin tonë për të krijuar mundësinë e dytë në studimin tuaj. Sigurisht që ju nuk jeni njësoj si studentët e tjerë, të cilët kanë ardhur me konkurse, me notë mesatare shumë më të lartë se ju dhe janë proces i një konkurrimi merite dhe preference. Ju nuk keni ardhur si rezultat i këtij procesi merite dhe preference. Sigurisht që ne i jemi referuar ligjit shqiptar, në konsultim me universitetet, duke iu referuar tarifave të programit të dytë të studimit”, tha zonja Nikolla para studentëve.  

Diskutimi mes tyre nuk ka qenë i frytshëm, pasi ministrja Nikolla pas daljes nga takimi i ka qëndruar mendimit fillestar.

“Ne i qëndrojmë vendimit të Këshillit të Ministrave, duke besuar që ky është një shans real. Rregullat nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme, duke cenuar integritetin e institucioneve të arsimit të lartë, por edhe cilësinë e diplomave të shumë studentëve të tjerë që kanë ardhur me meritë”, tha ministrja e Arsimit.

Por vetë studentët, shprehen se i kanë ofruar një zgjidhje ministres, e cila sipas tyre ka kaluar në heshtje prej saj.

“Kërkuam shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, pika 4, e cila trajton tarifat e diferencuara për studentët e shtetit dhe studentët e transferuar. Nëse kjo nuk do të arrihej, ne kërkuam pezullim të pagesës, e cila është shumë afër dhe çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese nga 28 firmat e deputetëve të Partisë Socialiste, të cilat të na siguroheshin nga ministrja”, tha një prej studenteve.

Ndërkaq, në ambientet e grevës, pas kërkesës që i është bërë, ka ardhur dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili ka kërkuar nga studentët dërgimin e një ankese, çka do të vinte në lëvizje këtë institucion.

“Ne i kërkuam studentëve ta bëjnë që tani ankesën në institucionin tonë dhe ne jemi në gatishmëri që, deri ditën e hënë, të dalim me një rekomandim në lidhje me kërkesat që ata kanë”, u shpreh Avokati i Popullit.

Greva është shoqëruar dhe me incidente e përplasje mes studentëve dhe forcave të policisë, pasi këta të fundit nuk i kanë lejuar studentët të fusin në ambientet e grevës dyshekë dhe mjete të tjera të nevojshme.

Top Channel