Një “Pasdite” me motrat Vjollca

27/02/2015 00:00

Rubrika e personazhit të javës në “Pasdite në Top Channel” ka pasur të ftuara këtë javë dy motrat Vjollca, Marinën dhe Luanën, të cilat mund të thuhet me plot gojë se adhurohen nga i gjithë publiku, qoftë nëpër studio, por edhe jashtë tyre.

“E gjithë puna jonë bëhet enkas për të fituar dashurinë e njerëzve, fjalët e mira prej tyre dhe mirëpritjen tonë mes tyre, sigurisht edhe dashamirësinë, pasi nuk ka më mirë sesa gjithçka ne bëjmë të kurorëzohet në këtë mënyrë”, është shprehur Marina.

“Në fakt zhvillimet e kohëve të fundit na detyrojnë që kontakti më i madh i yni me njerëzit dhe fansat tanë të jetë përmes instagramit apo rrjeteve të tjera sociale, dhe jemi pafundësisht të lumtura, si unë por edhe Marina, nga dashuria e pakursyer që na ofrojnë ata”, deklaroi Luana.

E kuptueshme është në fakt se kohëve të sotme, dashuria e publikut për njerëzit e ekranit nuk është edhe aq shumë e madhe, por është e rrallë dhe për t’u vlerësuar tërheqja e tyre nga dyshja e motrave Vjollca. Kjo, pasi njerëzit zakonisht përpiqen të gjejnë të metat e personazheve të ekranit, duke u ankuar disa për zërin e dikujt, e disa për shfaqjen thuajse të përditshme të dikujt tjetër në televizor, për të cilin thonë se ‘na acaroi, ngeli përditë në emisione, këtë do shohim ne’… Ndryshe ndodh për dyshen simpatike të bërë të famshme falë ekranit të Top Channel.

“Jo, nuk është e thënë që me neve të shkojë gjithçka vaj. Ka shumë njerëz që kur na shohin, flasin për gjëra që ndoshta nuk u pëlqejnë, sepse edhe ne nuk jemi perfekte. Ka nga ata që pëlqejnë më shumë Luanën, ka edhe nga ata që pëlqejnë më shumë Marinën. Raporti është i ndërsjelltë, edhe pse përgjithësisht komentet që hasim nëpër rrjete sociale janë pozitive për të dyja, gjë që na bën të ndihemi shumë të plotësuara dhe na nxisin të punojmë edhe më shumë”, thotë më tej Marina.

Por cilët pëlqejnë më shumë Marinën dhe cilët Luanën?

Edhe pse mund të duket deri diku e pamundur, ka njerëz që vlerësojnë më shumë njërën motër nga tjetra dhe anasjelltas. “Ka shumë të tillë – thotë Luana. – Luana më së shumti personifikohet si e ëmbla, gjë që e tillë dua të jem edhe unë, të dashur miq”… “Ndërsa Luana personifikohet si vajza seksi”, ndërhyn menjëherë Marina, e cila shton se “kur dalim bashkë i përmbushim thuajse të gjitha kriteret, ndërsa kur ndahemi veç e veç secila nga ne ka mangësi”.

Marrëdhënia me publikun është shpesh e çuditshme, sepse jo gjithmonë ata të duan kur je shumë e bukur, deri diku shumë pranë perfeksionit, por duke qenë gjithnjë përpara syve të tyre sigurisht që mund të shfaqet, përveç dashamirësisë, edhe ndopak xhelozi. A e ndiejnë këtë motrat Vjollca?

“Ka shumë njerëz që komentojnë gjëra jo pozitive. Bëjnë sikur nuk të duan, por mbase sepse nuk duan punën që bëjmë ne, shpesh të shohin vetëm nga pamja e jashtme dhe nisin të komentojnë, por nuk e ndiej veten në pikën për të pretenduar se më xhelozojnë sepse jam e bukur. Thjesht kërkoj prej tyre që të më kritikojnë për punën që bëj, për të më nxitur ta bëj më mirë të nesërmen, e më pas të më duan për këtë që bëj”, shpjegon Luana. “Përgjithësisht, sa herë kemi pasur kontakte të përditshme me disa njerëz, qoftë edhe gjatë eventeve që bëjmë në terren, si Summer Fest, mjafton të shoh lumturi në sytë e tyre dhe më bëjnë të jem dyfish më e lumtur unë që po takohem me ta”.

“Situata jonë nuk është e favorshme për të kthyer një përgjigje të tillë, sepse duket sikur e marrim si të mirëqenë që na duan dhe hajde të flasim për veten. Di të them që nuk jemi perfekte, pavarësisht dashamirësisë së madhe, por ka komente sa të mira edhe jo të mira. Ne gjithmonë do të jemi duke u përmirësuar përgjatë gjithë karrierës sonë”, tha Marina.

Nga eksperienca, kushdo që del në televizion ka nevojë për një person që të bëjë “pasqyrën” e tij, një person i cili kur thotë një fjalë, të besohet nga personazhi televiziv. Po motrat Vjollva me kë konsultohen për daljet në publik, apo sesi po ecën karriera e tyre, për imazhin që kanë dhe atë çfarë përcjellin te njerëzit?

“Sigurisht që është familja jonë, dhe në veçanti mami, e cila nuk na ka thënë asnjëherë një fjalë të mirë, por gjithmonë na kritikon, ndoshta sepse kërkon të na shohë mirë e më mirë. Por kemi edhe njëra-tjetrën, që flasim shpesh për paraqitjet tona. Megjithatë nuk i vëmë faj mamit, sepse e vërteta është që nuk e ka pasur aspak të lehtë me ne. Deri në moshën 18-vjeçe shpesh i referoheshim asaj me pseudonimin ‘Hitleri’ dhe sa herë merrte në telefon thoshim bobo. Megjithatë ne jemi katër motra dhe pesë femra në familje, pasi babai nuk jeton, dhe mënyra sesi jemi rritur ne, të vetme në Tiranë dhe në kohë të vështira, mami na ka mbajtur gjithmonë të shtrënguara dhe gjithmonë i frikësoheshim kur ajo nervozohej”, shprehen motrat Vjollca, edhe pse shumë shpejt kthejnë anën e medaljes dhe të gjitha meritat e suksesit të tyre ia dedikojnë nënës së tyre.

“Absolutisht, 100 përqind merita. Ajo na krijoi, ajo na kultivoi edukatën dhe dashurinë për televizionin, dhe ka qenë pikërisht nëna që na shtyu drejt botës së televizionit, sepse unë në fakt kam pasur ëndërr muzikën – thotë Luana, – sërish e ndikuar prej nënës. Por gjithçka kemi bërë dhe do të bëjmë është meritë e saj”.

Por a është e thjeshtë të jesh nënë e katër vajzave, njëra më e bukur se tjetra?

“Njerëzit që e njohin dhe që e dinë historinë tonë thonë që është një heroinë”, ndërhyn Luana. E sigurisht që edhe ata që nuk e njohin, por që njohin vajzat e saj, mund ta konfirmojnë padiskutim këtë, mjafton të shohësh produktin, falë një pune shumë të vështirë që ajo ka bërë dhe që ia ka dalë me sukses.

Dhe sa për të shuar kureshtjen, se përse nëna e motrave Vjollca dëshironte t’i shtynte të bijat drejt ekranit, Marina tregon se “nëna e saj në moshë të re ka qenë këngëtare dhe për shkak të rrethanave nuk arriti ta çonte ëndrrën deri në fund. Madje rreth moshës 10-12 vjeç ajo na regjistroi në kanto të dyjave. Luana ka pasur vërtet shumë zë për të vazhduar, kemi marrë pjesë në festival, por ja që u shkëputëm prej shkollës dhe artin e lamë disi mënjanë. Megjithatë, ishte sërish nëna që më shtyu drejt konkurrimit si velinë e Fiks Fare, më kishte regjistruar ajo në të gjitha hapat dhe unë kam ardhur për audicion një javë pasi kishte nisur emisioni. Me pak fjalë, atë që nuk realizoi vetë donte të na e përcillte neve. Mjafton të pikaste ndonjë dhunti te ne dhe e besonte verbërisht se mund të ecnim në atë fushë”, shprehet Marina.

Marina dhe Luana po bëjnë vite tashmë në ekranin e Top Channel; e para, e njohur si “bjondja”, është pjesë e Top Medias prej 10 vitesh, ndërsa e dyta, apo “brunja”, ka plot 8 vjet që i është bashkuar asaj. Kanë qenë të dyja velina të “Fiks Fare”, një trampolinë shumë e mirë për të vijuar më pas qëndrimin në ekran, sigurisht nëse ekzistonte dëshira dhe nëse ato ndienin se kishin diçka më shumë për të dhënë.

“Unë nisa si velinë, por aty m’u dha edhe rasti të flisja dhe të spikasja paksa edhe për talent në prezantim, ndaj dhe menjëherë pas Fiksit më erdhën oferta për të tjera projekte. E kisha disi më të thjeshtë rrugën, pasi një rrugë të ngjashme kishte ndjekur edhe Marina, edhe pse personalisht kam qenë një njeri pa vetëbesim të lartë dhe fillimisht nuk doja të bëhesha pjesë e televizioneve. Megjithatë për asgjë nuk bëhem pishman, pasi ka qenë një eksperiencë e bukur. Mendoj se pa Marinën nuk do të isha askund, pasi ajo shërben si një shembull për t’u ndjekur për mua, edhe pse kemi karaktere të ndryshme nga njëra-tjetra. Më pëlqen shumë qetësia që ka ajo në çdo vendim që merr dhe në çdo hap e konsideroj si shëmbëlltyrë”, ka thënë më tej Luana.

Por kush e bën “ligjin” mes dy motrave? A janë të padiskutueshme kapriçot e Luanës për Marinën?

“Në fakt sa herë që dalim në publik, Luana shprehet sikur dëgjon Marinën në çdo gjë, ndërsa sa herë jemi në shtëpi ajo vendos për çdo gjë (qesh). E them me shaka këtë, pasi në shumë raste vendos unë me gjakftohtësinë dhe qetësinë që më karakterizon, por shpesh herë edhe impulsiviteti i Luanës arrin të bëjë zgjedhjen e duhur, pasi ajo është shumë instiktive por edhe ekstremisht shumë e zgjuar. Mund të them me plotë gojën se pa këshillën e Luanës unë nuk vlej, por edhe ajo pa këshillën time ndoshta mund ta ketë pak më të vështirë”, thotë Marina, e cila përforcohet menjëherë nga mendimi i Luanës, që shprehet se “pa pyetur njëra-tjetrën nuk mund të bëjmë asnjëra”.

A ka qenë ndonjëherë pengesë për Luanin, fakti i të qenit nën hijen e motrës, për shkak se arriti të njihej përpara saj?

“Jo, përkundrazi ka qenë një ndihmë e madhe, sepse mua nuk më ka karakterizuar asnjëherë kompleksiteti në jetë. Ndaj dhe nuk e kam pasur të vështirë të krijoj emrin tim dhe kjo gjë shihet shumë mirë tashmë, kur ne njihemi secila me emrat tona dhe si motra me njëra-tjetrën”, thotë Luana, e cila e pranon se në fillimet e saj njihej si motra e Marinës, por që asnjëherë nuk e ka pasur problem. “Nuk e di se kur është bërë shkëputja nga motra e Marinës në Luana, por di të them se përveç faktit që unë u përzgjodha si prezantuese e motit, në çdo event tjetër kemi qenë të dyja bashkë: si në Top Fest, ashtu edhe në E diell”.

“Edhe për mua është krenari që kam Luanën për motër dhe kam pikërisht këtë familje ku jam rritur”, shprehet Marina.

Gjithsesi, jo gjithçka ka ecur pa pengesa për motrat Vjollca. Sigurisht që edhe ato janë përballur me vështirësitë e ngjitjes së shkallëve, pasi televizioni është diçka që nuk ta falin kollaj dhe për më tepër nuk ta falin përgjithnjë… Kanë qenë prej 8 dhe 10 vitesh në qendër të vëmendjes, pjesë e televizionit më të rëndësishëm në Shqipëri dhe pjesë e programeve më të suksesshme.

 “Siç e dini e nisëm si velina, por duke parë që ishte një fushë që ia vlente të sakrifikoje, pavarësisht vështirësive që të dilnin përpara, edhe ne bëmë maksimumin që mundeshim. Ditë të vështira në këtë periudhë karriere kemi kaluar, si në çdo fushë tjetër ku mund të synohet ngjitja e shkallëve”, tha Marina.

“Televizioni është shumë i bukur kur e sheh, gjithkush mund të kënaqet kur na shikon neve të gëzuara dhe të buzëqeshura, por kemi pasur edhe ne ato ditë kur jemi ngritur mëngjeseve jo me humor, në vazhdim të ditës gjërat mund të mos kenë ecur siç duhet, por në fund të fundit me sakrifica dhe vullnet kemi lënë pas krahëve gjithçka, sepse ai që të sheh nuk interesohet çfarë ke bërë apo çfarë ke pasur. Televizioni mes të tjerash ka pengesa kryesisht psikologjike, por në fund të fundit, kënaqësia që merr nga njerëzit që të duan është më e madhe se vështirësitë”, tha Luana.

“Në televizion po u dorëzove, dështove. Gjithnjë, edhe kritikat nuk duhet t’i marrësh të mirëqena, thjesht të dëgjosh dhe të mundohesh të ndreqësh gjëra që mund të ndreqen, sigurisht jo kritikat dashakeqëse. Ka ndikim edhe pjesa e famës, pasi kur je jashtë në jetën e përditshme nuk mund të sillesh si Marina jashtë ekranit por do të ndikohesh prej reputacionit të televizionit. Nuk mund të bërtasësh apo të argëtohesh siç mund të kesh dëshirë, apo nuk mund të vishesh si në shtëpi edhe jashtë saj. Është pastaj edhe xhelozia, pasi në mungesë të saj personazhet televizivë nuk mund të ecin përpara. E kam fjalën për xhelozi të shëndetshme, që të bën të punosh më shumë dhe të perfeksionohesh”, shtoi Marina.

E duke ndaluar pak te “Procesi Sportiv”, një emision i përjavshëm kushtuar sportit, ku Marina është gjendur në krah të një partneri, sa ndikon dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me një bashkëmoderator si Eduard Manushi?

“Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm nëse kuptohet si i tillë. Pra nëse ia di vlerën të punuarit në grup, atëherë bashkëpunimi është shumë efikas. Ndërsa momentin që mundohesh të nxjerrësh veten dhe vetëm veten, atëherë sjell pasoja të kundërta. Manushi ka qenë fat për mua, sepse është nga të vetmit prezantues që të mbështet dhe të përkrah, sepse në fillimet e mia kam qenë totalisht jashtë njohurive të futbollit dhe termave që përdoren për të. Një meritë të madhe për këtë prezantuese që jam sot në atë emision e ka Manushi, saqë tani ndihem komode”, thotë Marina.

Shumë prezantuese femra, kolege të Marinës apo edhe të moderatores së Pasdites, shpesh kur janë vënë përkrah një partneri mashkull janë kthyer në “vazo dekorative”, aq më tepër kur janë shumë të bukura dhe vëmendja përqendrohet tek ato. Janë detyruar të mbyllin gojën dhe të bëjnë thjesht personin që buzëqesh dhe tërheq vëmendjen për bukurinë, diçka shumë e vështirë për t’u kaluar.

“Nëse partneri televiziv të bën të ndihesh e tillë, atë ka vetëm disa shpjegime: partneri ose është kompleksiv, ose ndihet inferior, ose ka patjetër një anë negative. Të tregohem e sinqertë, kur nisa prezantimin e Procesit isha ‘vazo dekorative’ sepse nuk dija asgjë rreth futbollit dhe në atë studio nuk mund të flisja për muzikë. Por falë përkrahjes së Manushit arrita ta ndaja mendjen: ose do të mësoj dhe do rri, ose nuk e pranoj të qenin një vazo e tillë. Ndaj nisa të mësoja rreth futbollit, të ndiqja më shumë ndeshje, të shoqërohesha me gazetarë sportivë, madje lashë disi pas dore edhe emisionin Select, deri sa ia mora dorën dhe tani nuk shoh asnjë problem”, tregon Marina.

Ndërkohë Luana është rikthyer në “E diell”, ku ndryshe nga Marina që ka partner Manushin, Luana ka Dudushin gjatë një rubrike të sajën. Po partneriteti me Albanin si është?

“Është eksperienca ime e parë me Albanin. Nuk kemi pasur asnjë emision më parë, kemi zhvilluar vetëm puntatën e parë dhe të dielën kemi të dytën. Albani po ashtu është një personazh karizmatik dhe përshtypjet janë shumë të mira nga shfaqja e parë. Ishte një dekor i pjerrët, por ishte shumë bukur të qëndroje atje gjatë rubrikës “Pa Limit në E Diell”. Ky format është realizuar në Amerikë dhe Francë dhe vjen ndryshe nga shumë emisione të tjera në Top Channel deri më sot. Kemi zgjedhur aktorë shumë të mirë dhe me Albanin përshtatem shumë mirë. Shpesh dalim edhe jashtë skenarit dhe improvizojmë”, tregon Luana.

Një format “Pa limit” që ndoshta përshtatet edhe me mosnjohjen e limiteve nga Luana, siç thotë edhe Marina, e cila thotë për të motrën se është shumë hiperaktive dhe energjike. Por edhe Marina, që përgjithësisht të lë përshtypjen si një femër e urtë dhe e përmbajtur e ka një të “fshehtë” që ia zbulon Luana: pikërisht pasionin për motorat. Mjafton t’i lësh çelësat e një makine apo motori dhe Marina nuk njeh kufij, edhe pse është shumë e kujdesshme dhe për këtë arsye familja ia beson asaj timonin sa herë bëjnë udhëtime të gjata.

Dhe arsimi? Mendoni se dy femra kaq të simpatike dhe kaq të dashura nga njerëzit e arrijnë suksesin vetëm falë pamjes fizike? Jo e keni gabim, sepse njëra prej motrave Vjollca është shumë pranë diplomimit si juriste penale në profesion, ndërsa tjetra shumë pranë të diplomuarit si ekonomiste. Mos u çudisni që fatin e jetës suaj, në një të ardhme, ta ndajë me çekiçin e gjyqtarit Marina dhe llogarinë tuaj bankare ta ketë nën kontroll Luana.

“Pavarësisht ndikimit të Marinës, e cila më ftonte të ndiqja edhe unë Juridikun, gjë që e bëra, më pas u ndava prej saj për të bërë një master për Të drejtën e Biznesit”, thotë Luana.

“Edhe pse këshillat nga miqtë tanë ishin që të ndiqnim Akademinë e Arteve, sepse kështu plotësonim panoramën që jemi duke ndjekur. Por shkolla ka qenë çështje pasioni për mua. Duke qenë në televizion, shkollën më të mirë e kisha kryer falë përvojës. Do të ishte humbje kohe një shkollë artistike. Juridikun e kam pasur gjithnjë pasion prej serialeve me agjentët e sigurisë. Nuk do të jetë e thjeshtë për mua, sepse juristë ka shumë, por drejtësi jepet pak. Nuk mund të them sesa e drejtë do të jem unë, por shpresoj te Zoti që të arrij objektivat që i kam vënë vetes dhe të vijë një ditë që të flasim ndryshe, sepse ky pasion shpresoj të më çojë diku”, deklaroi Marina.

E të mendosh një bukuroshe si Marina apo Luana në auditoret e Juridikut. Të gjithë sytë janë tek ajo dhe sigurisht që mund të ketë pasur edhe paragjykime…

“Ka pasur, jo vetëm nga pjesa e studentëve, sepse kjo është e mirëkuptueshme nga ana ime, por edhe nga ana e pedagogëve, të cilët paragjykojnë sapo shohin një femër të bukur. Kam pasur një fillim të vështirë për t’iu dëshmuar atyre të kundërtën që mendonin ata. Nuk dua aspak të tregoj që jam një studente e mirë, apo të shfaq notat që kam marrë, por kisha një sfidë të shumëfishtë: së pari me veten time për t’ia dalë mbanë të kisha sukses në pasionin tim; së dyti me pedagogët që t’u tregoja se jam dikushi edhe në shkollë; dhe së treti mënjanimi i të dalurave, teksa rutina jonë ishte shtëpi-shkollë-punë. Sa për paragjykimet nuk është se i kam gjëra të trilluara, por ma ka thënë vetë pedagogu në sy, teksa ishim në seminare ku duhej bërë bashkëbisedim me studentët. Në momentin që unë flisja për t’i dhënë ndonjë përgjigje, më drejtohej duke më thënë mjaft, se ti i mëson gjërat përmendësh se je e bukur. Megjithatë tashmë i kam harruar, pasi mendoj se me një formë trajtimi të tillë ndoshta më kanë nxitur të punoj dhe kërkoj edhe më shumë nga vetja”, tregon Marina.

“Një gjë e tillë ndodh rëndom jo vetëm me ne, por edhe me vajzat e tjera të bukura të televizioneve. Shumëkush mendon se s’mund të jesh edhe e bukur, edhe e zgjuar. Por e sigurt që unë nuk do t’ia dija për falemnderit profesorëve, nëse do silleshin në të njëjtën mënyrë. Megjithatë provat jepen me vepra dhe jo me fjalë. Shpresoj që pasi të marrim diplomën, profesorët të kenë gjëra pozitive për të thënë ndaj nesh. Episodet s’kanë fund, gjithnjë të shohin dhe paragjykojnë, sepse harrojnë që ne jemi imazhe të një televizioni dhe duhet të ruajmë paksa figurën. Dhe nuk paragjykojnë vetëm për bukurinë, por edhe nëse vishesh keq do të të shënjestrojnë sërish, duke të thënë që qenke ndryshe nga sa e mban veten në televizion”, shton më tej Luana.

E siç thuhet përgjithësisht, vajzat e bukura janë gjithnjë të lumtura. Diçka që Luana e konfirmon, jo vetëm për familjen që ka dhe që e lumturon pa masë, por edhe për punën dhe njerëzit me të cilët rrethohet në përditshmëri. Ajo tregon se është e fiksuar pas detajeve dhe lumturohet qoftë edhe me gjëra shumë të vogla, si një tufë lulesh për shembull. Edhe pse, nga ana tjetër, gjithë këto lule bëjnë dikë tjetër në familje të vuajë, pikërisht mamanë nga alergjia, por jo për t’u shqetësuar. Madje Luana u jep sugjerime të gjithë meshkujve që të mos shpenzohen shumë, por t’iu çojnë vetëm lule femrave, partnereve të tyre.

Në përfundim të intervistës dyshe është sjellë në vëmendje kënga e fundit e Luanës, gjë që e theksoi Marina më herët si një pasion të parë dhe jo të fshehtë të motrës së saj që në vogëli. Kënga e fundit titullohet për hir të fansave “Jemja”, sepse ata duan ta titullojnë kështu. “Nuk kam aspak objektiv të futem në tregun muzikor, por kam si synim që të përfundoj atë që mamit ia ndërprenë në mes. Kam besim te talenti im, por edhe këtë do t’ia lë kohës të tregohet, jo me fjalë”.

Top Channel