SHBA, shmanget mbyllja e sigurisë, Kongresi zhbllokon fondet

28/02/2015 00:00

Ligjvënësit amerikanë zgjatën me një javë financimin për sigurinë e brendshme duke shmangur një mbyllje të pjesshme të disa shërbimeve për shkak të mungesës së buxhetit.

Marrëveshja afatshkurtër kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve duke marrë 357 vota pro dhe 60 kundër. Më parë edhe Senati kishte dhënë dritën jeshile.

Presidenti Barack Obama firmosi menjëherë ligjin që u garanton 250 mijë punonjësve të sigurisë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pagesën gjatë periudhës që republikanët dhe demokratët në Kongres diskutojnë një marrëveshje afatgjatë.

Financimi për disa sektorë të sigurisë përfundonte në orën 05:00 me orën lokale të Uashingtonit.

Marrëveshja e minutës së fundit mbërrin pas refuzimit të mëhershëm të republikanëve për të votuar një zgjatje 3-javore të financimit për sigurinë e brendshme, si formë kundërshtimi ndaj ligjit të emigracionit të Presidentit Obama.

Departamenti i Sigurisë së Brendshme në Shtetet e Bashkuara është përgjegjës për sigurimin e kufijve ajrorë, detarë e tokësorë të SHBA. Nëse nuk do të kishte marrëveshje, 250 mijë punonjës të këtij departamenti do të qendronin në shtëpi, ndërsa 200 mijë të tjerë, që mbulojnë sektorë kyç të sigurisë do të vijonin punë pa u paguajtur deri në arritjen e marrëveshjes.

Republikanët po përdorin financimin e departamentit, ku përfshihen edhe zyrat e emigracionit për të kundërshtuar politikat e Presidentit Obama mbi emigrimin. Nëntorin e kaluar, kreu i Shtëpisë së Bardhë përdori pushtetin ekzekutiv për të mbrojtur pesë milion emigrantë të paligjshëm nga deportimi në vendet e origjinës. Republikanët akuzojnë Obama-n se me këtë urdhër tejkaloi kompetencat e tij.

Top Channel