Disa orë pasi parlamenti gjerman miratoi marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për zgjatjen e borxhit edhe me katër muaj të tjerë, Kryeministri grek Alexis Tsipras, duke folur në mbledhjen e kabinetit ka mohuar se vendi i tij do të duhet të kërkojë një paketë të tretë ndihme nga huadhënësit ndërkombëtarë.

“E di se disa kanë vënë bast dhe nuk e fshehin për mundësinë e një pakete të tretë në qershorin e ardhshëm. Më vjen keq, por përsëri do t’i zhgënjejmë. Do duhet ta harrojnë paketën e tretë të ndihmës sepse këtyre paketave iu dha fund populli grek me votën e tij në 25 Janar”, tha Tsipras.

Për të shmangur falimentimin Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë akorduar Greqisë prej vitit 2010 dy paketa ndihme 110 dhe 130 mld euro, prej të cilave ka për të marrë edhe 7.2 mld të tjera në katër muajt e ardhshëm, vetëm nëse do të plotësojë kushtet e kreditorëve.

Por Athina vetëm këtë vit ka detyrime financiare për pagesa borxhesh dhe bono të vjetra me vlerë mbi 30 mld euro. Ndaj dhe Kryeministri Tsipras u ka bërë thirrje ministrave të kabinetit të tij të bëjnë çfarë është e mundur për të sjellë financat e vendit në rrugën e duhur, duke luftuar evazionin fiskal, korrupsionin, kontrabandën dhe duke reduktuar në maksimum shpenzimet qeveritare.

“Ju ftoj që të punoni fort në mënyrë që të zbatoni mandatin popullor të 25 Janarit, që vendi të fillojë një kapitull të ri. Ju ftoj të punoni fort, me më pak deklarata dhe më shumë punë, me më pak fjalë dhe më shumë vepra”, tha ai.

Pavarësisht komenteve se e Majta Radikale, nuk shfuqizoi programin e ndihmës, siç ishte zotuar para zgjedhjeve, përkundrazi kërkoi shtyrjen e tij edhe për katër muaj të tjerë pasi pa se mungesa financiare ishte e papërballueshme, qytetarët grekë mbështesin përsëri qeverinë Tsipras në sondazhin e fundit. 56 përqind e grekëve e konsideron sukses zgjatjen e marrëveshjes, 60% e cilësojnë të saktë strategjinë e qeverisë, ndërsa të ndarë pothuajse në mes shfaqen përsa i përket zgjedhjes së Presidentit nga gjiri i konservatorëve.

Tsipras ka deklaruar se javën e ardhshme do të sjellë disa projektligje për miratim në parlament, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me përballimin e krizës humanitare në mënyrë që të lehtësojë një masë të madhe të grekëve të gjunjëzuar nga kriza ekonomike.

Top Channel