Kush ishte Boris Nemtsov?

28/02/2015 00:00

Boris Nemtsov ishte një figurë karizmatike në skenën politike ruse. U ngrit në pozicionin e zv.Kryeministrit nën presidencën e Boris Yeltsin dhe pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putin, u shndërrua në një prej kritikëve më të ashpër të tij.

Shkencëtar bërthamor, ambientalist dhe baba i katër fëmijëve, Nemtsov është themelues i disa lëvizjeve opozitare pas 2003-it, kur u largua nga parlamenti rus.

Hedhjen në politikë e provoi pa sukses në zgjedhjet e vitit 1989. Një vit më vonë e provon sërish dhe zgjidhet deputet në parlament. Gjatë sulmeve kundër Yeltsin në vitin 1991 qendroi në krah të presidentit.

Besnikëria iu shpërblye me postin e guvernatorit lokal të Nizhny Novgorod, ku gjatë drejtimit të tij rajoni, dikur krenaria e industrisë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, u shndërrua në një destinacion tërheqës për investitorët e huaj.

Shpejt u shndërrua në një prej politikanëve më popullorë në vend dhe disa spekuluan duke thënë se Yeltsin po përgatiste Nemtsov si pasuesin e tij.

Në vitin 1997 emërohet në postin e zv.Kryeministrit, emërim për të cilin do të pendohej një vit më vonë, kur vendi goditet nga kriza ekonomike që i kushton vendin e punës dhe nis e rënien politike të tij.

Në vitin 1999 themelon Unionin e Forcave të Drejta, së bashku me miqtë liberalë Anatoly Chubais dhe Yegor Gaidar. Partia e re pati sukses në fillim duke siguruar 10 përqind në zgjedhje, që i dhanë Nemtsov një grup të konsoliduar dhe të fuqishëm në parlament.

Por në zgjedhjet e 2003 partia e tij nuk kapi pragun prej 5 përqind duke mos siguruar asnjë mandat në parlament. Pas kësaj, Nemtsov dha dorëheqjen si kryetari i partisë dhe iu shmang skenës politike dhe iu përkushtua sipërmarrjes për pak kohë, ndërkohë që në prapaskenë vazhdonte përpjekjet për të bashkuar opozitën e përçarë anti-Putin.

Në 2011 u rikthye në ballë të protestave opozitare kundër Putin, por vitet në heshtje ja kishin zbehur shkëlqimin. Megjithëse nuk cilësohej më si një figurë me peshë në politikën ruse, sërish vrasja e tij ka tronditur vendin dhe udhëheqësit e tjerë të opozitës, që këtë akt e kanë marrë si një mesazh të Putinit kundër gjithë kritikëve të vet.

“Mesazhi është i qartë; kundërshto Putin dhe jeta jote vlen pak!”, deklaroi Gery Kasparov, ish-kampion i botës në shah, njëkohësisht politikan dhe kritik i fortë i Putinit.

Top Channel