Mjekësia Ligjore: Fëmija ndërroi jetë në çerdhe për shkaqe natyrore

28/02/2015 00:00

Mjekësia Ligjore reagon zyrtarisht për vdekjen e një fëmije të vogël në një prej çerdheve të kryeqytetit.

“Vdekja e foshnjes 13-muajshe ka ardhur për shkaqe natyrore. Nga autopsia nuk janë konstatuar shenja helmimi”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Foshnja 13 muajsh, S. Prendi, djali i një oficeri të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërroi jetë të premten pasdite rreth orës 15:30, kur një nga kujdestaret e grupit ku bënte pjesë fëmija, konstatoi se fëmija ishte i zbehtë dhe i ftohtë.
 
Ai u nis për në urgjencën e spitalit pediatrik në Tiranë, ku mjekët kishin konfirmuar se fëmija kishte ndërruar jetë. Më pas fëmija u dërgua në morgun e Tiranës për të kryer ekzamiminet përkatëse, ndërsa policia nisi hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes.
 
Fëmija kishte pasur gjendje të mirë të rrugëve të frymëmarrjes, të zemrës, të mushkërive, si dhe nuk kishte dëmtime fizike në trup. Hetuesit kanë marrë në pyetje stafin e çerdhes, për të mësuar për veprimet e tyre, mjekët që kanë kontrolluar fëmijën në momentin e mbërritjes së tij në spital, si dhe prindërit e tij.

Top Channel