Pandëshkueshmëria dhe rotacioni i kriminalitetit

28/02/2015 00:00

ANDREA STEFANI – Duket se shqiptarët nuk duan të mësojnë nga e kaluara. Jo vetëm nga më e largëta, por edhe nga e afërta.

Për shembull, nuk duan të nxjerrin mësimin se pa ndëshkimin e kriminalitetit dhe korrupsionit në gjirin e klasës politike jo vetëm nuk mund të ketë përmirësim të cilësisë së qeverisjes, por i shndërruar në një farsë dhe tallje me publikun, rotacioni i qeveritarëve do të deformohet në rotacion të kriminelëve dhe të korruptuarve! Kjo është gjëja e parë që të vjen ndër mend kur shikon sulmin që opozita e sotme dhe qeveria e djeshme (e pandëshkuar as edhe një qime për korrupsionin dhe krimin e saj) ka shpërthyer kundër Kryeministrit Rama, qeverisë, ministrave dhe disa deputetëve të mazhorancës. Nuk kam thënë kurrë dhe as shpresuar se edhe qeveria e sotme e majtë PS-LSI do të jetë një qeveri engjëjsh. Do të ishte një utopi të shpresosh për një qeveri “me duar të pastra”. Aq më tepër, në kushtet e pandëshkueshmërisë së korrupsionit të djeshëm, që nuk mund të mos jetë një nxitje për korrupsion të sotëm. Por nuk mund të mos konstatoj se po rrëshqasim praptazi, në vitin 1998, apo në vitin 2005 për t’u rikthyer në momentin e trishtë kur krimi dhe korrupsioni rrëmbejnë flamurin e dekriminalizimit dhe antikorrupsionit! Dhe si mund të shpresosh, dhe aq më keq të besosh se krimi mund të luftojë krimin dhe korrupsioni-korrupsionin?!

 

***

Në vitin e mbrapshtë 1997, qeveria “Berisha” u rrëzua si rrjedhojë e një krize të fortë politike të shkaktuar nga rënia e skemave piramidale të toleruara prej saj edhe në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Por të majtët e Fatos Nanos që pasuan, nuk treguan asnjë vullnet për të goditur krimin dhe korrupsionin e manifestuar gjatë qeverisjes së PD. Një orvatje për të ndëshkuar krimet e vitit ’97 u dërrmua me protesta të egra nga Sali Berisha dhe Azem Hajdari (që bërtisnin, ngjashmërisht si edhe sot, “ta shporrim qelbësirën!”) dinamikë, që u mbyll me vrasjen nga “Nano” të Hajdarit dhe grushtin e shtetit maskuar me hakmarrjen për këtë vrasje. Më pas, brenda pak vitesh, u pa qartë se vëmendja e pushtetarëve të majtë nuk qe si të luftonin korrupsionin, por se si ta përdornin atë për t’u pasuruar edhe vetë skizofrenisht, madje më shpejt se paraardhësit e tyre demokratikas. Asnjë ish-ministër i PD-së nuk u ndëshkua për korrupsion që vazhdoi të mbetet anonim. Kështu, pandëshkueshmëria së bashku me korrupsionin në rritje të qeverisjes së majtë, u dha shansin e pamerituar të korruptuarve të PD, tashmë në opozitë, të rrëmbenin flamurin shpëtimtar të antikorrupsionit. Në ballë të kësaj lëvizjeje doli kreu i korrupsionit në qeverisjen e mëparshme të PD, Sali Berisha, që premtonte qeverisje me “duar të pastra” dhe për të cilin, një propagandë ulëritëse horrash pa integritet, këmbëngulte se “ka ndryshuar”, se nuk është më ai autokrati i dikurshëm dhe se është i vetmi që ka energji dhe guxim ta luftojë korrupsionin. Shkurt e shndërruan Saliun në Mesia! Një çorbë që e gëlltitën edhe ndërkombëtarët.

 

***

Për rrjedhojë, në vitin 2005, Sali Berisha u rikthye në pushtet, duke habitur dynjanë, me premtime për luftë kundër bandave, krimit dhe korrupsionit. Por ç’ndodhi në të vërtetë? Hapi më i vendosur qe ai i moratoriumit për skafet e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Në fakt, më shumë për të krijuar një alibi për një trafik që shqetësonte më shumë fqinjin në anën tjetër të Adriatikut, Italinë, se sa për ta luftuar atë. Lufta kundër krimit të organizuar mori shumë shpejt formën qesharake të ndalimit të qarkullimit të veturave me xhama të zinj. Berisha mburret edhe sot me gjoja shkatërrimin e disa bandave kriminale, por shumë nga ato mbetën të paprekura deri në fund të qeverisjes së tij madje, i dhanë nga një dorë në grabitjen e votave në fushata zgjedhore. Krimi i organizuar u përshkallëzua, krijoi bazën e vet ekonomike nga tolerimi që iu bë kultivimit të drogës. Fshatra si Lazarati, por edhe të tjerë më pak të njohur, u bënë de facto zona të paprekshme të krimit të organizuar me një autonomi kërcënuese brenda shtetit. Bota e krimit e fuqizuar u shtri në sektorin e ndërtimeve, duke ricikluar paratë e pista të drogës për të kryer një tjetër masakër, atë urbanistike dhe mjedisore. Një tjetër burim kriminal fitimesh u bë kontrabanda e armëve dhe municioneve që nuk mund të zhvillohej pa një OK të fshehtë të Kryeministrit. E gjithë kjo orgji korruptive dhe kriminale nuk mund të mos çonte në grabitjen e mbi 200 milionë eurove nga buxheti publik, duke përdorur si gjethe fiku të hallateve të korrupsionit, “Rrugën e Kombit” pra, “patriotizmin”. Nuk mund të mos çonte te shpërthimi si ai i Gërdecit, që të kujton shpërthimet biblike me anë të të cilave Zoti ndëshkoi kalbëzimin korruptiv të Sodomit dhe Gomorrës. Por në Shqipëri nuk ka Zot, se Zoti është drejtësi! Nuk mund të mos çonte as në masakrën e 21 janarit, sepse krimi nuk mund të mos mbrohet me krim, korrupsioni me korrupsion. Masakra e 21 janarit është shembulli më spektakolar i integrimit të pushtetit të korruptuar ekstremisht me krimin ekstrem. Masakra e 21 janarit mbetet edhe shembulli më ekstrem dhe spektakolar i pandëshkueshmërisë.

 

***

Në qershor 2013, qeveria “Berisha”, pas 8 vitesh qeverisje, u largua me votë duke lënë pas një Shqipëri edhe më të kalbur nga krimi dhe korrupsioni. Dhe ndërsa qeveria “Rama” është përqendruar, jo pa sukses, në luftimin e krimit masiv si antishtet (të kultivimit të drogës, të vjedhjes apo mospagimit të energjisë elektrike, të legalizimit të qindra mijë ndërtimeve pa leje dhe mbylljes të sa e sa vrimave të trashëguara që po e fundosnin barkën e shtetit), shumë pak ose aspak është bërë për të ndëshkuar megakorrupsionin dhe krimin në nivele të larta të politikës dhe qeverisjeve të deridjeshme. Asnjë ministër i qeverisë shumë të korruptuar të Sali Berishës nuk është vënë para drejtësisë. Kuptohet, këtu ka ndikuar për keq edhe kriminalizimi dhe korruptimi i prokurorisë dhe gjykatave. Raste si ai i mbylljes së dosjeve të ish-ministrit Arben Imami, apo ish-drejtuesve të policisë që nuk zbatuan urdhrat e prokurorisë më 21 janar, e ilustrojnë këtë. Por, megjithatë, shumëkush ka perceptimin në rritje se edhe këto pengesa, nuk justifikojnë këtë tolerim të pandëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit të djeshëm nga një mazhorancë aq e fuqishme e dalë pas 23 qershorit. Zërat se krimi nuk duhet të luftohet vetëm te faturat e energjisë por edhe te bosët e tij në nivele të larta të politikës, po shtohen. Ekziston një frikë se kjo pandëshkueshëmri mund të fuqizojë edhe krimin e korrupsionin që e majta bart brenda vetes si trashëgim nga e kaluara. Një “gjarpër në gji” që, në një moment të caktuar, nuk do ta ketë për gjë të bashkohet me bollën e krimit në të djathtë për të tentuar shtrëngimin fatal.

 

***

Thonë se tragjedia përsëritet në histori si farsë. Sipas kësaj “aksiome” tragjedia e krizave piramidale dhe e rënies së shtetit në vitin ’97 gjeti farsën e saj me rikthimin në pushtet me flamurin e antikorrupsionit të Sali Berishës, pikërisht atij që kish qenë kryeshkaktari i tragjedisë së vitin ’97. Por ç’duhet të themi kur farsa përsëritet si komedi? Sepse sot, vetëm një vit e gjysmë pasi ka rënë nga fuqia për shkak të megakorrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisjes së saj, PD po bën thirrje për dekriminalizimin e Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme që do ta shpëtuakan Shqipërinë nga korrupsioni! Është totalisht groteske! Të korruptuarit dhe kriminalizuarit kanë dalë përsëri me flamurin antikrim dhe antikorrupsion! Por (ta zëmë se qeveria “Rama” u korruptua rrufeshëm për një vit e gjysmë), ç’do fitojnë shqiptarët nëse të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e majtë ua lënë vendin përsëri atyre të djathtëve që i zhvatën për 8 vjet? Asgjë! Më keq do ta pësonin! Dhe ky është paradoksi që sjell pandëshkueshmëria, mungesa e drejtësisë. Ajo i jep mundësi Bashës të thërrasë për dekriminalizim të Kuvendit kur vetë duhet të sqarojë llogaritë me drejtësinë për milionat e rrugës Durrës-Kukës dhe për 21 janarin. Para se të bëjë thirrje për dekriminalizim, Lul Basha duhet të dekriminalizohet personalisht para drejtësisë dhe jo ta shmangë atë! Pandëshkueshmëria i ka dhënë mundësi edhe Berishës të akuzojë për shembull, deputetin Koço Kokëdhima, se ka bërë korrupsion me paratë publike duke shkelur Kushtetutën. Por, para se ta bëjë këtë, deputeti Berisha duket të dekriminalizohet personalisht para drejtësisë për krimin e dhunimit të hapur të Kushtetutës, kur pengoi prokurorinë që të ushtrojë detyrën e saj më 21 janar. Kjo është më e pakta që duhet të bëjë Berisha para se të ketë të drejtë të flasë për respektim të Kushtetutës. Pandëshkueshmëria si drejtësi e munguar, është problemi më i madh që ka sot Shqipëria. Sepse ajo jo vetëm inkurajon korruptimin e qeveritarëve të sotëm, por riciklon edhe të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e djeshëm. Dhe nuk do të ketë dalje për Shqipërinë nga rrethi vicioz i krimit dhe korrupsionit, pa ndëshkuar pandëshkueshmërinë!

Top Channel