Rama: Ballkani në rrezik nga ekstremizmi, BE ta shpëtojë

28/02/2015 00:00

Vizita në Bukuresht është zgjedhur si momenti i duhur për prezantimin për publikun rumun i librit “Kurbani”, me autor Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Homologu dhe miku i tij, Viktor Ponta ishte bashkë me personalitetet rumune të fushës së letrave në këtë ceremoni, që nuk ishte vetëm një ceremoni promovimi për “Kurbanin”, por edhe i pikëpamjeve të Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama edhe për çështje delikate që sfidojnë sot Europën.

Të tillë Kryeministri Rama konsideron mënyrën se si duhet të sillet Europa me Ballkanin e diversitetit të besimeve fetare dhe me të ashtuquajturin Shtet Islamik të ISIS-it, i cili sipas kreut të qeverisë shqiptare “përfaqëson një përshkallëzim ekstrem të radikalizmit islam”.

“Ne mendojmë që ai përshkallëzim është një arsye shumë e fortë për Europën dhe për Bashkimin Europian që këtë diversitet fetar që është në Ballkan ta marri në mbrojtje sa më shpejt, duke e përshpejtuar procesin e integrimit, duke mos bërë politika që janë taktike dhe nuk kanë asgjë strategjike në raport me vendet e Ballkanit, sepse nëse, largqoftë, ekstremizmi islam do të gjente rrugë për t’u kthyer në një nacionalizëm fetar në formën e një lëvizjeje brenda Ballkanit, do të ishte fundi i kësaj që kemi sot”, deklaroi Rama.

Nga Bukureshti Kryeministri Rama shpjegoi për herë të parë edhe pikëpamjen e tij përse ajo që e quan “islam radikal” mund të gjejë terren në disa vende ballkanike.

“Islami radikal e gjen më të lehtë që të penetrojë në territorin psikologjik të frustracionit nga hezitimi i BE-së për të vepruar me shpejtësi dhe për të na tërhequr më shpejt brenda. Radikalizmi islam vepron pikërisht në këtë territor, duke përçuar idenë se Europa nuk është rruga jonë, pasi Europa është një klub kristian dhe për këtë arsye Europa është hezituese ndaj nesh”, argumentoi Rama.

Kryeministri Edi Rama, i cili mbron idenë se rajoni i Ballkanit është në paqe, sepse të gjithë besojnë dhe janë të tërhqur nga ëndrra e anëtarësimit në Europe, u nderua në Bukuresht edhe me titullin “Honoris Causa”.

Top Channel