Vrasja e Nemtsov, Perëndimi kërkon zbardhjen, Rusia: Vrasje për të destabilizuar vendin

28/02/2015 00:00

Perëndimi i bën thirrje autoriteteve ruse që të zbardhin të vërtetën që
qendron pas vrasjes së udhëheqësit të opozitës, Boris Nemtsov.

Presidenti amerikan, Barack Obama kërkoi një hetim transparent dhe të gjithanshëm, ndërsa Kancelarja gjermane tha se vrasja duhet të zbardhet dhe autorët të vendosen para drejtësisë.

“Admiroja Nemtsov për kurajon e tij për të denoncuar korrupsionin në Rusi dhe e vlerësoj për shkëmbimin e këndvështrimeve në takimin e 2009-ës në Moskë”, thuhet në një deklaratë të Presidentit amerikan.

Nemtsov u qëllua katër herë pas shpine në një urë pranë Kremlinit. Menjëherë pas vrasjes, Presidenti rus, Vladimir Putin e dënoi aktin dhe mori personalisht nën kontroll hetimet për vrasjet e tij.

Ndërkohë, hetuesit rusë thonë se vrasja është kryer për të destabilizuar vendin. Kreu i grupit hetimor që ka marrë përsipër zbardhjen e ngjarjes, tha se po hetohet në disa pista, përfshirë këtu “ekstremizmin islamik” dhe lidhjet e viktimës me Ukrainën.

“Nemtsov mund të jetë sakrifikuar prej atyre që nuk kursejnë asnjë mjet e metodë për të arritur qëllimet e veta politike”, thuhet në deklaratë.

Hetuesit thonë se vrasja është e mirëplanifikuar dhe se ekzekutorët kanë ndjekur e studiuar mirë lëvizjet e Nemtsov në qytet.

Boris Nemtsov ishte një kundërshtar i fortë i konfliktit dhe ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Menjëherë pas lajmit, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko tha se “Nemtsov ishte një urë lidhëse mes Ukrainës dhe Rusisë, një urë që tashmë u shemb”.

Top Channel