Didi zbardh “grupin e tritolit”: Nga ngjarjet e rënda ndryshuam planin e masave

28/02/2015 00:00

Numri një i Policisë së Shtetit, Artan Didi deklaroi se përveç përpjekjeve për të arrestuar shtetasit Vladimir Gjuta dhe Baftjar Brukën, grupi i hetimit është në kërkim të provave që do të mundësonin edhe zbardhjen e motivit se përse 7 të dyshuarit e konsideruar tashmë si “grupi i tritolit” vendosi lëndë plasëse në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe në rrugën “Muhamed Gjollesha”.

“Kemi zbuluar provat që na çojnë në dyshime të arsyeshme se kush janë autorët. Motivet do të zbulohen më pas nga hetimet që do vijojnë me marrjen në pyetje të të arrestuarve dhe personave të tjerë në dijeni për rrethanat”, deklaroi Didi.

Duke folur për profilin e të arrestuarve, Didi u ndal tek kurrikulumi i dy të kërkuarve.

“Vladimir Gjuta, 35 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, është person me preçedentë kriminalë, i arrestuar disa herë për kundërshtim me dhunë të oficerëve të policisë. Gjithashtu, ai është nën hetim për vendosje eksplozivi ndaj shtetasit A.T. në Durrës, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2013 në Kukës dhe ndiqet për një sërë veprash të tjera kriminale. Baftjar Bruka, 24 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, është po ashtu person me preçedentë penalë, i hetuar në vitin 2013 për “vrasje me dashje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje, çështje që më pas është pushuar nga gjykata”, saktësoi Didi.

Por ndërsa për 5 të tjerët Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur “arrest me burg” për vepra të rënda penale, mes tyre edhe për kryerje të akteve terroriste, për të kërkuarit e tjerë zoti Didi tha se, për shkak të sekretit hetimor emri i tyre nuk u shpërnda në pikat e kalimit kuftar, çka solli edhe largimin e Brukës jashtë vendit.

Për policinë, ende nën hetim është edhe shpërthimi tjetër i ndodhur në Tiranë ndaj kryekomisarit Alfred Numani, ngjarje për të cilën ka disa indicje, por asnjë pistë konkrete.

“Plani i masave në Tiranë ka ndryshuar që kur ndodhën ngjarjet kriminale. U bë për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe për të parandaluar ngjarje të tjera kriminale. Ky plan vazhdon edhe sot derisa ne të jemi të bindur që të gjithë këta autorë të përfshirë në ngjarjet e fundit penale të jenë para drejtësisë”, nënvizoi Didi.

Top Channel