SHBA paralajmërojnë xhihadistin John: Do të të gjejmë kudo që të fshihesh

28/02/2015 00:00

Pas zbulimit të identetitit të vërtetë të xhihadistit John, kryeprokurori amerikan Eric Holder deklaroi se Amerika do t’i vihet pas të riut nga Londra.

“Çdo njeri i përfshirë në vrasjen e qytetarëve amerikanë do të mbajë deri në fund përgjegjësi për veprimet e veta. Nuk ka rëndësi ku je, ne do të të gjejmë. Do të të gjurmojmë kudo që të fshihesh”, ishin fjalët e Holder.

Megjithatë, ai nuk e konfirmoi se xhelati i maskuar është Mohammed Emwazi dhe nuk iu përgjigj pyetjes nëse qeveria amerikane e njeh vendndodhjen e ekzekutorit të disa pengjeve amerikane dhe britanike.

Emwazi, i njohur në media “xhihadisti John”, u identifikua pak ditë më parë. Ai rezulton të jetë shtetas britanik i lindur në Kuvajt.

I riu, rreth të 20-ave, ka jetuar në pjesën perëndimore të kryeqytetit britanik dhe ishte një emër i njohur për shërbimet vendase të sigurisë.

Për arsye hetimore, identiteti i tij nuk ishte bërë i ditur më parë. Emwazi u shfaq fillimisht në një video në muajin gusht, ku shihej duke i prerë kokën fotoreporterit amerikan James Foley.

Më vonë ishte po ai që ekzekutoi në të njëjtën mënyrë gazetarin tjetër amerikan Steven Sotloff, punonjësin britanik të ndihmës David Haines, shoferin britanik Alan Henning dhe punonjësin social amerikan, Peter Kassig.

Top Channel