Greva e urisë, studentët e Mjekësisë kundër

28/02/2015 00:00

Studentët e grevës së urisë, të cilët kundërshtojnë tarifat e studimit të vendosura nga Këshilli i Ministrave, janë kundërshtuar nga studentët e Mjekësisë, të cilët e kanë cilësuar këtë grevë të padrejtë.

“Përse nuk pritët edhe një vit për të konkurruar për të njëjtat kushte”, shtroi pyetjen një studente e Mjekësisë. “Unë këtu kam ardhur nga halli, nuk jam për qejf”, u përgjigj një studente greviste.

Studentët e transferuar nga institucionet e arsimit privat të cilat u mbyllën kërkojnë që të trajtohen me të njëjtat tarifa studimi si studentët të cilët kanë fituar të drejtën e studimit me konkurs.

“Unë jam nga Universiteti Amerikan, por këtu ka nga të gjitha universitetet private. Nuk është aspak e vërtetë që ne kemi qenë në dijeni të tarifave. Ne jemi vënë në dijeni vetëm në momentin që kemi ardhur këtu për t’u regjistruar. Fillimisht kanë dalë listat, pastaj hidheshin hipoteza për tarifat, por nuk ka pasur asnjë vendim zyrtar për to. Këtu nuk është faji ynë, nuk i mbyllëm ne universitetet private. Për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet përkatëse”, deklaroi një studente greviste.

Kjo kërkesë e tyre është kundërshtuar nga një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët deklaruan se ata nuk mund të trajtohen si të barabartë dhe se ky transferim i tyre në këtë universitet është i padrejtë.

“Po na shkelet e drejta për të ndjekur procesin normal të mësimit. Ne jemi me meritë, ata janë shansi i dytë. Ata nuk e morën dot të drejtën e studimit dhe tani gjenden në bankë me ne dhe do të marrin të njëjtën diplomë me ne. Pse nuk e fituan si ne me konkurs”, u shpreh Alba Sadiku, studente e vitit të katërt të Mjekësisë.

Në godinën e Infermierisë janë futur mbi 50 studentë të cilët theksojnë se nuk do të largohen prej andej derisa tarifa e tyre e studimit të jetë e njëjtë me studentët e tjerë.

Ministria e Arsimit një ditë më parë deklaroi se tarifat e studimit propozohen nga universitetet dhe më pas miratohen nga ministria në bazë të kostove që ka çdo institucion. Studentëve u janë bërë të njohura tarifat dhe kuotat e regjistrimit për çdo universitet.

Pas mbylljes së disa universiteteve private, studentët u transferuan në ato publike pa konkurs dhe për këtë arsye duhet të paguajnë një kuotë më të lartë se studentët e tjerë që kanë aplikuar dhe fituar me konkurs.

Studentët e Infiermerisë kanë hyrë në sezon provimesh, por godina tashmë ndodhet e bllokuar nga studentët e universiteteve private të transferuar në atë shtetëror.

Top Channel