Tom Doshi, kokë më kokë me Tahirin; dëshmitarët: Takim i acaruar

28/02/2015 00:00

Përmes një komunikimi telefonik me Top-Channel, deputeti Tom Doshi ka bërë të ditur se mesditën e së shtunës është ulur për një kafe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Doshi tha se takimi ishte thirrur për të diskutuar mbi situatën e rendit në Shkodër, por nuk pranoi të jepte detaje mbi shqetësimet konkrete që i shprehu Tahirit. Dëshmitarë që kanë qenë afër tyre thonë se takimi ka qenë mjaft i acaruar.

Edhe ministri Tahiri, i kontaktuar po ashtu nga Top Channel, nuk pranoi të jepte detaje rreth bisedës me kolegun socialist. Marrëdhënia midis deputetit Doshi dhe ministrit Tahiri ka qenë e tensionuar edhe gjatë vitit të kaluar.

Dy ditë më parë, Tahiri i cilësoi si “qëndrime personale” deklaratat e fundit të zotit Doshi dhe tha se Partia Socialiste nuk mund të merret peng nga askush.

Sakaq Doshi ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kolegut të tij Namik Kopliku, të cilin e quajti mosmirënjohës dhe deklaratat e tij si të deyruara nga kryeministri Edi Rama.

Sipas Doshit, Kopliku në 2009-n mblidhte firma në Shkodër për shkarkimin e Edi Ramës si kryetar partie. Por sipas deputetit Doshi, ka qënë vetë ai që e ka vendosur emrin e Koplikut në listë për deputet.

Doshi shton se, nuk i bën përshtypje mosmirënjohja e Koplikut pasi ka të tjerë më të rëndësishëm në PS që nuk i janë mirënjohës.

Top Channel