Estonia voton, kryeministri pro NATO-s favorit kundër aleatëve të Putinit

01/03/2015 00:00

Estonia i drejtohet sot kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare, në të cilat kryeministri i qendrës së djathtë, Taavi Roivas, është më i favorizuari për të formuar një koalicion të ri pro-NATO-s, në përpjekje për të shmangur sërish sfidën e një partie opozitare që kërkon lidhje me të ngushta me Rusinë fqinje.

Partia Reformiste e Roivas, e cila ka theksuar vazhdimisht frikën për një ndërhyrje të Rusisë në Estoni, pasi Moska aneksoi rajonin ukrainas të Krimesë vitin e kaluar, udhëhiqte me 26% në sondazhet e fundit të së premtes, kundrejt 22% të Partisë Qendrore, të qendrës së majtë.

Një tregtar në profesion por edhe udhëheqësi më i ri mes atyre të vendeve të Bashkimit Europian, 35-vjeçari Roivas pritet të jetë në kushte të favorshme për të formuar një koalicion të ri, edhe nëse Partia Qendrore do të fitojë më shumë vota.

Kjo për shkak se partitë e tjera të mëdha kanë deklaruar se nuk do të bashkëpunojnë me Partinë Qëndrore, e cila në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me partinë e presidentit rus Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”.

“Bashkëpunimi pas zgjedhjeve me Partinë Qendrore estoneze do të ishte shumë i vështirë për këdo dhe për cilëndo parti tjetër”, tha Roivas për “Reuters”.

Vendi më verior i rajonit të Baltikut, me një popullsi prej 1,3 milionë banorë, ka rreth 25% rusishtfolës. Shumë parti të tjera kanë akuzuar liderin e Partisë Qendrore, Edgar Savisaar, kryebashkiak i Talinit, i cili ka qenë dikur kryeministër i përkohshëm gjatë 1991-’92, se dështoi të dënonte veprimet e Putinit në Ukrainë. Madje, ata akuzojnë partinë e tij se ka shpërdoruar fondet publike në Talin.

Ish-pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpalljen e Pavarësisë në 1991-shin, Estonia mund t’u rikthehet lidhjeve me Rusinë nëse fiton opozita, e cila e justifikon me “më shumë siguri dhe më shumë ndihma për të varfërit, duke rritur pagat minimale në 1000 euro”, nga 390 që është aktualisht.

Rezultatet e pjesshme do të publikohen më 19:00, ndërsa do të duhen disa orë deri në rezultatin e zgjedhjeve.

Nën qeverinë e udhëhequr nga Partia Reformiste dhe koalicioni i saj, Estonia ka qenë një nga vendet anëtare të NATO-s që ka ruajtur nivelin objektiv prej 2% të GDP-së, të shpenzimeve për mbrojtje. Estonia është gjithashtu anëtare e eurozonës që prej 2011-s dhe ka borxhin publik më të ulët në BE.

Top Channel