Netanyahu, çështja e Iranit edhe në vendin e shenjtë në Jeruzalem

01/03/2015 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka transferuar fushatën e tij kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin edhe në vendet më të shenjta të Jeruzalemit, në Murin Perëndimor, gjatë së shtunës, në prag të largimit të tij për në Uashington për të mbajtur një fjalim përpara Kongresit mbi këtë çështje.

Pelegrinazhi i rallë i tij në një prej vendeve të shenjta të Judaizmit ka qenë mëse simbolik, përveç se politik, një përpjekje e dukshme e Netanyahut dy javë përpara zgjedhjeve kombëtare për të portretizuar vizitën e tij në SHBA, e cila ka përkeqësuar marrëdhëniet me administratën Obama në Uashington, si vendimtare për mbijetesën e Izraelit.

Duke përdorur murin rrethues të tempullit të shkatërruar biblik hebre si një sfond dhe i veshur me një kapelë të zezë në kokë e një pelerinë të zezë në trup, ai tha se “marrëveshja e mundshme mes Iranit dhe fuqive të mëdha do të rrezikojë ekzistencën tonë”.

“Përballë një marrëveshjeje të tillë, ne duhet të bashkohemi dhe të shpjegojmë rreziqet që i kanosen Izraelit, rajonit por edhe mbarë botës”.

Netanyahu është bërë shënjestër e kritikave të paprecedenta nga administrata amerikane, por edhe në Izrael, për fjalimin e planifikuar të tij përpara Kongresit gjatë së martës, në një kohë kur do të zhvillohen edhe bisedimet ndërkombëtare me Iranin për të siguruar një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit.

Uashingtoni shpreson një marrëveshje me Iranin, mbi të gjitha për të siguruar se Republika Islamike nuk do të mund të zhvillojë armët bërthamore. Teherani mohon prej kohësh që të ketë ndonjë program për krijimin e këtyre armëve, duke theksuar shpesh se Izraeli është i vetmi vend në rajon me armë të tilla.

Të mërkurën, zyrtarë amerikanë vunë në diskutim gjykimin e Netanyahut dhe thanë se, dënimi haptazi i tij ndaj përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me Iranin, ka injektuar një destruktivitet në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Izrael.

“Respektoj presidentin amerikan Barack Obama”, tha Netanyahu gjatë pelegrinazhit në Murin Perëndimor, ku më herët vendosi pëllëmbën e tij mbi gurët, në të çarat e të cilit njerëz besimtarë vendosin mesazhe për Zotin.

“Besoj në forcën e marrëdhënieve të Izraelit me SHBA-të dhe përmes tyre ne do të tejkalojmë këto dallime, ashtu sikurse edhe ato që do të lindin në të ardhmen”, tha ai.

Republikanët që kontrollojnë Kongresin kanë ftuar Netanyahun pa u konsultuar më parë me Obamën, apo me udhëheqës të tjerë të lartë të demokratëve. Presidenti amerikan ka njoftuar se nuk do ta takojë Netanyahun, për shkak se vizita e tij është shumë pranë zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, gjë që do të interpretohej si mbështetje ndaj tij.

Top Channel