PD, Paloka: Kjo është policia e Ramës kundër qytetarëve

01/03/2015 00:00

Nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, demokratët kanë denoncuar atë që quajtën dhunë policore mbi qytetarët, duke sjellë edhe zërin e njërit prej tyre që, siç deklaroi ai, është ngatërruar nga policia si një prej protestuesve të Institutit në Kamëz, që prej disa ditësh po protestojnë për ndërprerjen e energjisë elektrike për shkak të mospagimit të saj.

“Unë vetëm po kaloja aty, nuk isha fare në protestë. Më kapën dhe më çuan në komisariat”, thotë i riu.

Rasti në fjalë, tha kreu i grupit demokrat, është vetëm një prej dhjetëra qytetarëve të tjerë që janë dhunuar në këtë formë nga policia një ditë më parë në përpjekje për të shpërndarë protestën. Paloka bëri një paralajmërim dhe një apel. Të parin e pati për policinë: “Do të mbajnë përgjegjësi personale nesër, nuk do merret parasysh asnjë justifikim sepse kanë vepruar nën urdhra politike. Qytetarët të reagojnë.”

Këtë thirrje për qytetarët, Paloka e shoqëroi me mbështetjen e tyre nga opozita për të kundërshtuar bashkarisht, siç u shpreh ai, qeverinë dhe policinë e bandave.

Top Channel