Basha: Rama ndaloi grevën e studentëve

01/03/2015 00:00

Për kreun e opozitës, shpërndarja e grevës së studentëve orët e para të mëngjesit nga policia, sipas tij me urdhër politik, është akti më i rëndë antikushtetues dhe antidemokratik gjatë qeverisjes socialiste. Lulzim Basha ka bërë vetë një kronologji të ngjarjes, për shkak të mungesës së medias në vendngjarje natën.

“Mbrëmë, ishte nata e thyerjes së xhamave në Tiranë. Skalionet e policisë të armatosura rëndë, që kanë harruar ligjin dhe udhëhiqen vetëm nga porositë politike, thyen dritaret dhe dyert e godinës u futën me dhunë në ambientin ku studentët po mbanin gjallë të drejtën e fundit që u kishte mbetur, i morën zvarrë duke u lidhur duart me fasheta të mprehta plastike, i përplasën duke i kapur nga flokët dhe i futën në makina private me targa false. I goditën edhe në komisariat e në qeli”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës kërkoi nxjerrjen e përgjegjësisë së plotë të policisë në këtë ngjarje: “Secili prej dhunuesve me uniformë shtetërore, nga zbatuesit në errësirën e hajnave e cubave, e deri tek urdhëruesit, ministri e shefi i tij do të përgjigjen deri në fund për dhunimin e poshtërimin që u kanë bërë të rinjve. Përsëris kërkesën time drejtuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studentëve.”

Nëse te Prokuroria kërkon përgjegjësit ligjorë, Lulzim Basha e ka të qartë përgjegjësin politik: “Partia Demokratike fajëson e bën direkt përgjegjës Edi Ramën.”

Për kreun e opozitës, Edi Rama ka humbur legjitimitetin si kryemininistër, duke hequr paralele me grevën e studentëve në vitin 1991: “Me guximin për të bërë me studentët atë që nuk guxoi Ramiz Alia, ka vulosur fatin e tij më keq se të Ramiz Alisë. Revolta ka pushtuar çdo qytetar, këtë revoltë nuk ka dhunë që ta ndalë. Largimi i kësaj qeverie nga pushteti, është zgjidhja e vetme për vendin dhe qytetarët.”

Top Channel