ISIS-i do të lirojë 29 sirianë të krishterë

01/03/2015 00:00

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut bëri të ditur se kalifati islamik i ISIS-it do të lirojë 29 pengjet sirianë të krishterë, të rrëmbyer nga xhihadistët një javë më parë. Por, në grupin e pengjeve janë rreth 200 persona dhe fati më i madh i shumicës së tyre mbetet ende në dorë të xhihadit.

Numri i pengjeve është rritur në mënyrë të vazhdueshme, por ajo që e shqetëson Observatorin Sirian për të Drejtat e Njeriut është se në mesin e personave janë gra, fëmijë dhe të moshuar. Por, në të njëjtën kohë është rritur edhe numri i të ekzekutuarve nga grupi terrorist. Që nga shpallja e “kalifatit” qershorin e kaluar, xhihadistët në emër të ideologjisë së tyre kanë vrarë 1970 njerëz.
 
Ndaj, për t’ju larguar rrethit vicioz të ISIS-it, një milion njerëz po largohen nga  Mosuli në tentativë për t’i shpëtuar sulmeve, rrëmbimeve dhe vdekjeve. Ky eksod masiv i popullsisë së Irakut vjen në një moment delikat për çështjen e emigracionit nga Lindja e Mesme, pasi vendet e tjera të botës nuk ndihen të përgatitur për të përballuar fluksin e njerëzve në rritje. Po gjithashtu i madh është edhe skepticizmi i këtyre banorëve në lidhje me aftësinë e ushtrisë së Irakut për të rimarrë qytetin.

Ende nuk dihet as strategjia e saktë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it. Fakti që Pentagoni tani po sinjalizon një ndryshim të plotë të planeve nga ajo që Obama i ka kërkuar Kongresit për trupa tokësore amerikane në Lindjen e Mesme, me shumë gjasë tregon skepticizëm rreth strategjisë së administratës.

Egërsia e konfliktit në Irak tani ka bërë që asnjë komunitet mos të ndihet i sigurt nën sundimin e një tjetri apo nën tutelën e terrorizmit, duke preferuar të marrë  riskun e largimit në përpjekje për të mbijetuar.

Top Channel