Ndërpritet greva e urisë tek Infermieria, policia nxjerr studentët nga Fakulteti

01/03/2015 00:00

Greva e urisë e studentëve të Mjekësisë ka përfunduar pasi policia i ka nxjerrë ata nga ambientet e Fakultetit të Infermierisë. Policia i ka nxjerrë në orët e para të mëngjesit dhe disa prej tyre i ka shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Studentët pretendojnë se janë keqtrajtuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Në një video amatore të hedhur në Youtube, duket ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i dhjetëra studentëve nga ana e uniformave blu. Në videot e xhiruara nga vetë studentët, paraqiten disa prej tyre të keqtrajtuar.

Asnjë prej studentëve nuk ndodhet aktualisht në komisariate. Ata janë lënë të lirë në orët e para të paradites së të dielës, ndërsa thonë se protesta e tyre do të vijojë.

“Në orën 02:30 kanë ardhur duke dhunuar institucionin dhe neve. Janë futur duke thyer xhamat e universitetit. Na kanë trajtuar në mënyrë barbare”, thonë studentët.

Burime të policisë së kryeqytetit thanë për Top Channel se kanë ndërhyrë në prishjen e kësaj greve pas kërkesës së bërë nga vetë dekani i Fakultetit, pasi sipas tij po bllokohej mësimi normal dhe ishin të bllokuara ambientet e këtij Fakulteti.  

Mbrëmjen e së premtes, studentët të cilët kanë kaluar në universitetin publik pas mbylljes së disa universiteteve private dhe që kundërshtojnë tarifat e shkollimit, u takuan në mjediset e grevës edhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, por bisedimet nuk sollën asnjë marrëveshje.

Një ditë më parë, edhe një grup studentësh të Mjekësisë u deklaruan kundër grevës së urisë, pasi ata thanë se kanë fituar konkursin për të vazhduar shkollën e lartë, ndaj nuk mund të trajtohen të barabartë me studentët e ardhur nga privati për shkak të mbylljes së universiteteve.

Reagimi i Këshillit Studentor

Këshilli Studentor mbështeti grevën dhe deklaroi bojkotimin e mësimit dhe të provimeve.

“Në emër të këshillave studentorë dhe përfaqësuesve të studentit në senatet akademike të universiteteve publike, deklarojmë mbështetjen e plotë për kërkesat e studentëve për grevën e urisë. Ne duam t’u komunikojmë të gjitha mediave se studentët do të bojkotojnë në ditët në vijim mësimin dhe do të braktisin provimet derisa qeveria të plotësojë kërkesat e tyre. Jemi me studentët e grevës së urisë, do të jemi me ta çdo ditë, deri në plotësimin e kërkesave të tyre”, tha zv/kryetarja e Këshillit Studentor të Fakultetit të Drejtësisë.
 

Top Channel